Shkatërrohet grupi kriminal, trafikonte emigrantë shqiptarë.

Policia britanike në bashkëpunim me atë franceze ka shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafikimin e emigrantëve shqiptarë nga portet franceze drejt Britanisë.
“The Daily Mail” shkruan se emigrantët shqiptarë paguanin 8 mijë stërlina për të kaluar ngushticën e La Manshit, mes Francës dhe Anglisë. Ky rrjet trafikantësh drejtohej nga një kosovar i pasur në qytetin francez të St Malo-s. Nga hetimet e deritanishme janë kryer 14 udhëtime nga ky grup, që përdor peshkarexhat franceze për të sjellë drejt Britanisë emigrantët shqiptarë.
Supas zyrtarëve operacioni ende nuk ka përfunduar dhe priten arrestime të reja në Francë dhe Britani, gjatë ditëve të ardhshme. Kjo metodë e trafikimit, përmes anijeve turistike dhe peshkarexhave, është përzgjedhur për të shmangur kontrollet në pikat e kalimit kufitar nëpër porte, si dhe atyre kontrolleve që u nënshtrohen maunet dhe kamionët e mallrave që vijnë në Britani.
Operacioni franko-britanik nisi pas arrestimit, vitin e kaluar, të dy kapitenëve të anijeve, të cilët kishin marrë me qira jahte luksoze, me pretekstin se po udhëtonin drejt Karaibeve.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)
Add new comment