SHENJA PAJTIMI

Hashim Thaçi po mundohet të gjejë gjuhë të përbashkët me Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn. Burime të Express thonë se Kryetari i PDK’së do t’i propozojë ata për anëtarë të Kryesisë së re të partisë. Por, vështirë se Krasniqi dhe Limaj do t’i ruajnë pozitat që i kanë pasur deri më tash. Sekretar i Përgjithshëm pritet të jetë Hajredin Kuçi, kurse Nënkryetar i Parë Kadri Veseli.
Hashim Thaçi po përpiqet të shfaqet si njeri që është garant i unitetit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke u dhënë poste drejtuese edhe njerëzve që publikisht janë kundër tij.
Dhe, rastin për këtë, Kryetari i PDK’së e ka pikërisht këto ditë, teksa po dizajnon përbërjen e re të Kryesisë Qendrore.
Burime të Gazetës Express thonë se në listën prej 25-anëtarësh, që ai do t’ia propozojë Këshillit Drejtues për Kryesinë e re, do të jenë edhe emrat e dy kundërshtarëve të tij, Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt.
“Ai si Kryetar ka të drejtë t’i propozojë 25 veta. Tashmë e ka gati listën dhe ndër propozimet e para mund të them janë edhe Jakupi, edhe Fatmiri”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i PDK’së, të dielën për Express, në kushte anonimiteti.
Krahas kësaj, zyrtari që foli për gazetën, tha se Thaçi po bën përpjekje për gjetjen e një kompromisi me Jakup Krasniqin, Sekretarin në ikje të PDK’së dhe aktualisht Kryetar i Parlamentit të Kosovës.
Përpjekje të ngjashme me Krasniqin, ashtu sikurse edhe me njerëzit e Fatmir Limajt, u bënë edhe para Konventës së Gjashtë të PDK’së që u mbajt më 26-27 janar.
Në këtë drejtim duket se ka lëvizje pozitive.
“Z. Krasniqi ka disponim për gjetjen e një gjuhe të përbashkët”, tha burimi i gazetës.
EXPRESS
Add new comment