SHBA, fillon mbyllja e pjesshme e qeverisë. Obama flet sot për sigurimet shëndetësore

Postuar në 01 Tetor, 2013 03:59

Qeveria e Shteteve të Bashkuar ka filluar zbatimin e mbylljes së pjesshme, pasi dy dhomat e Kongresit nuk arritën të bien dakord mbi një projekt-ligj të shpenzimeve qeveritare deri në afatin e 1 tetorit.

Dje, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët miratoi tre herë një projekt-ligj për shpenzimet qeveritare, pjesë e së cilit ishte shtyrja e zbatimit të ligjit të presidentit Obama për sigurimet shëndetësore. Në të tre rastet, Senati i kontrolluar nga demokratët hodhi poshtë projekt-ligjin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Ky ngërç politik mes dy dhomave të Kongresit do të thotë se qeveria amerikane do të fillojë menjëherë mbylljen e të gjitha shërbimeve në përjashtim të shërbimeve thelbësore.

Pavarësisht nga përpjekjet e ligjvënësve deri në orët e vona, ata nuk arritën të tejkalonin ngërçin partiak mbi ligjin e sigurimeve shëndetësore. 1 tetori është data e fillimit të një elementi të rëndësishëm të këtij ligji.

Sot presidenti Obama do të flasë mbi pjesët e ligjit të sigurimeve shëndetësore të cilat do të hyjnë në fuqi sot pavarësisht nga mbyllja e qeverisë. Shumë amerikanë të cilët nuk kanë sigurime shëndetësore do të jenë në gjendje të regjistrohen për të përfituar nga subvencionet qeveritare të nënvizuara në ligjin e sigurimeve shëndetësore.

Dje, presidenti Obama tha se mbyllja e qeverisë është një papërgjegjësi e madhe dhe pengon rimëkëmbjen e ekonomisë.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.