Sali Berisha kundër nismës për Byronë e Hetimit

Postuar në 29 Tetor, 2013 15:40

Berisha sulmon qeverinë për Byronë e Hetimit. Në një postim në Facebook ish-kryeministri thotë se kjo është shkelje e Kushtetutës. Berisha thotë se ky ligj i merr Prokurorisë hetimin dhe ia kalon atë Policisë së Shtetit. Sipas Berishës në krye të hetimeve do të qëndrojë vetë Edi Rama, i cili do të jetë kryehetues i shtetit. Këto deklarata Berisha i ka bërë në rrjetin social Facebook, ku ka shtuar se sipas këtij ligji i bie që Rama të hetojë veten.

“Vendim heroik: Rama vendos për hetimin e tij! Të dashur miq, mazhoranca Rama – Meta hartoi ligjin e ri antikushtetues të krijimit të FBI-së në Shqipëri, pra byrosë kombëtare të hetimit. Në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, nenin 163 të saj, që thotë se Prokuroria ushtron ndjekjen penale, ky ligj i merr Prokurorisë hetimin dhe ia kalon atë Policisë dhe sipas tij, jo kryepolici, por kryeministri i vendit do të jetë dhe kryehetuesi i shtetit. Rama i kthehet kështu pasionit të atit të tij shpirtëror Enver Hoxhës dhe dajë Kolekës. Por kjo është vetëm njëra anë e zezë e medaljes apo sakrificës së Edi Ramës. Ana tjetër sterrë e saj është fakti që do jetë Rama, vetë ai, i cili do të vendosë për hetimin e Presidentit të Republikës, bashkëkryetarit të mazhorancës Meta dhe ministrave të tij. Por prisni sakrificën sublime të Edvinit! Sipas këtij ligji, dhe mos kujtoni se po tallem, do të jetë Rama kryehetuesi i shtetit, i cili do të vendosë për hetimin dhe do të hetojë Ramën kryeministër të vendit. Ky është një akt heroizmi socialist. Rama do të vendosë për hetimin e tij. Miq, këto janë karnavalet e pushtetit Rama – Meta! Sb”, shkruan Berisha.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.