S’JEMI ASKUND

Postuar në 13 Shkurt, 2013 03:23

 

Brukseli u tregoi të martën institucioneve të Kosovës se kanë punuar shumë pak për ta fituar liberalizimin e vizave. Zyrtarë të Komisionit Europian thanë se autoritetet e Prishtinës, përveç tjerash, duhet ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në bazë të asaj që u tha nga europianët, kosovarët duhet të presin gjatë për të udhëtuar lirshëm në vendet e BE’së.

Përfaqësuesit e Komisionit Europian edhe njëherë ia bënë të qartë autoriteteve kosovare se janë larg përmbushjes së kritereve për të fituar liberalizmin e vizave.

Këtë, ata e bënë të martën gjatë dorëzimit të raportit të KE’së, që përmban vlerësimet për punën e institucioneve kosovare në përmbushjen e këtyre obligimeve.

Sipas delegacionit europian, pala kosovare ende ka shumë punë për të bërë për të hyrë në listën e bardhë të Schengenit.

Drejtori i Përgjithshëm i Punëve të Brendshme të KE’së, Stefano Manservisi, si fushën më problematike e përmendi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo mbetet edhe një ndër kushtet kryesore që BE ia ka vënë Kosovës në tërë procesin e integrimeve europiane, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave.

“Lufta kundër krimit të organizuar do të thotë, që të krijohen kushte për ne si BE, që të sigurohemi që liria e lëvizjes nuk përbën rrezik për sigurinë e brendshme të BE’së”, tha Manservisi në konferencën për media pas takimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë edhe në raportin e KE’së, Kosova, respektivisht heqja e regjimit të vizave për të, paraqitet si rrezik për sigurinë e brendshme të BE’së.

Së fundi, në raport shembull tejet negativ është marrë skandali me tenderin e pasaportave në Ministrinë e brendshme.

Për këtë, pala kosovare të martën ka heshtur.

Për më tepër, Ministri i Punëve të Brendshme i është shmangur deklarimit rreth kësaj çështje.

Ndërkohë që ishte Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku ajo e cila foli për progres të Kosovës në drejtim të përmbushjes së kritereve të BE’së.

Ajo është shfaqur optimiste pas takimit me përfaqësuesit e KE’së sa i përket kryerjes së detyrave nga ana e Qeverisë. Por nuk ishte në gjendje të jap ndonjë datë se kur kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në BE.

“Jo unë nuk kam ndërmend me qit fall nuk më takon mua të flas nga ky vend për datën kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë dhe pa viza”, tha ministrja e pyetur nga gazetarët.

E njëjta mohoi të ketë folur ndonjëherë për data. Pavarësisht se vetë ajo muaj më parë, kur Kosova morri udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, kishte përmendur vitin 2013 si final për përmbylljen e tërë procesit.

“Unë asnjëherë nuk kam folur me data për ditën kur qytetarët e Kosovë do të mund të ndihem të barabartë me europianët tjerë sepse kjo është edhe çështje emocionale”, ishte përgjigja e Çitakut të martën.

“Në fund të fundit vendimi i takon Brukselit, jo Prishtinës”, tha ajo.

Mirëpo në këtë pari kundërpërgjigjen e përfaqësuesit europian Manservisi.

“Brukseli merr vendimin por Prishtina duhet t’i plotësojë kushtet”, ishte porosia e zyrtarit europian.

Ministrja ndërkaq pranoi se autoritetet e Kosovës shumë sfida para vetes, për të cilat tha se nuk janë të pakalueshme.

“Sfidat janë të arritshme, ky nuk është një mision i pamundur, ky është një mision i mundur. Kosova është me fat që në këtë proces nuk është e vetme, ajo ka EULEX dhe Komisionin Europian për ta ndihmuar”, shtoi ajo.

Manservisi përmendi nevojën e ekzistimit të një “databaze” në të cilën do evidentoheshin progresit reale, për të cilat Qeveria e Kosovës flet në vazhdimësi.

Ndryshe në raportin e publikuar nga KE janë vlerësuar të dhënat e Kosovës për miratimin dhe implementimin e legjislacionit dhe reformave, ashtu siç janë paraqitur në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, me fokus në legjislacionin e Kosovës.

Sipas raportit Kosova ka krijuar një kornizë ligjore për riatdhesimin dhe ri-integrimin si çështje me rëndësi. Ndërkohë që kërkohet legjislacion shtesë për bashkëpunim ndër-agjencor në menaxhimin e integruar të kufirit dhe një ligj për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

KE ndër të tjera nënvizon nevojën e implementimit edhe në praktikë të të gjitha ligjeve si dhe reformat në sistemin gjyqësor.

Ky ishte vlerësimi i parë i KE’së për periudhën që nga marrja e udhërrëfyesit deri në tetorin e vitit të kaluar. Ndërkohë që vlerësimi i dytë pritet të bëhet në qershorin e këtij viti.

Nga ky i fundit varet edhe vendimi final i BE’së për liberalizimin e vizave për Kosovën, për të cilën analistë kosovarë por edhe autoritet qeveritare japin pak shpresa që do të ndodh këtë vit.

Ekspertë të integrimeve europiane madje e shohin 2015’ën si vitin më real të mundshëm për heqjen e vizave për kosovarët.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.