Sërish në Dhjetor duke pritur BE-në

Postuar në 08 Dhjetor, 2013 10:00

I ftuar nga Lëvizja Studentore Shqiptare në aktivitetin kushtuar kësaj dite, kryeministri Edi Rama tha se 8 Dhjetori është gjithmonë një mundësi për reflektimin e të gjithëve, vecanërisht atyre dhjetoristëve që sot janë në politikë, për sa bënë dhe nuk bënë për ëndrrën europiane të shqiptarëve.

Megjithëse sot jetojmë në një Shqipëri shumë më ndryshe nga vite me parë, deklaroi Rama, pyetja që përsëritet cdo vit është: a u jetësuan ëndërrat dhe idealet e atij dhjetori?

“Dhe ne mund t’i kërkojmë llogari vetës përsa u bëmë apo nuk u bëmë bashkë për jetësimin e asaj ëndrre pasi të gjithë bashkë e kishim thirrur me zë të lartë. Nëse e shohim kështu është e sigurtë që kemi akoma shumë beteja për të bërë dhe për t’i fituar bashkarisht. Ju na dhatë mundësinë të dëshmojmë se kur korsia e majtë dhe e djathtë janë pjesë e së njëjtës rrugë dhe gara bëhet se kush ecën më shpejt në korsinë e vet dhe jo kush i bllokon korsinë tjetrit, gjithmonë ka një më shumë se një arsye për të shpresuar, ka më shumë se një arsye për të besuar dhe për të patur bindjen se në të gjitha rastet pikërisht ekzistenca e një korsie tjetër bën që gjërat të shkojnë më mirë në rrugën tonë të përbashkët”, tha Rama.

Si një pjesëmarrës i atyre ditëve, Kryeministri tha se shpesh zhvillimet në vend nuk pasuan atë rrugë që mijëra të rinj nisën dhe për të cilën u bënë bashkë, rruga europiane. Si për ironi jemi sërish në dhjetor në pritje të një tjetër hapi drejt BE-së dhe drejt ëndrrës së dhjetorit.

“Edhe në këtë dhjetor mbetet akoma Shqipëria europiane, jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, por për të bërë të mundur që gjeneratat e tjera ta jetojnë Europën e së nesërmes si pjesë të pjesëmarrjes së barabartë të tyre me bashkëmoshatarët kudo në Europë, jo vetëm për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa, por për t’u bërë vetë, aktorë të zhvillimit të nesërm europian”, shtoi Kryeministri.

Ndërsa këto 23 vjet mund të kritikohen dhe analizohen, ajo që mbetet e pandryshuar, deklaroi Rama, është vlerësimi për lëvizjen studentore dhe rinore, duke e cilësuar dhjetorin 90-të të bekuar dhe historik.

Një tjetër protagoniste e atyre ditëve e ftuar në aktivitet ishte deputetja demokrate, Mesila Doda.

Mesila Doda: Ishte një vizion anti-komunist sepse gjithë lëvizja në thelb kishte kulturën anti-komuniste. Shpesh shfaqet një kulturë e ndryshme, kemi momente kur dikush kërkon të japë shenja të një regresi, sic ishte edhe shembulli i pak ditëve më parë ku portreti i atij dikatori që ne rrëzuam 22 vjet më parë, u shfaq frikshëm në një ceremoni zyrtare. Do t’i kërkoja Kryeministrit që të bënte një distancim publik sot, meqë sot është me studentë të dhjetorit, nga ai moment që kaloi thuajse në heshtje nga ana e institucioneve zyrtare.

Kryeministri Rama: Për Enverin e vdekur kemi qenë me Mesilën dakort qysh atëherë, aty ku jemi ndarë me Mesilën është tek Enveri i gjallë.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.