Rritet çmimi i karburanteve, nafta sot 194 lekë

Postuar në 20 Mars, 2012 03:54

Çmimi i naftës në pikat e tregtimit me pakicë po i afrohet nivelit 200 lekë për litër, duke iu rikthyer niveleve më të larta të çmimit në këtë treg.

Në një pjesë të mirë të pikave të tregtimit të karburantit, çmimet kanë pësuar rritje me rreth 3 lekë për litër krahasuar me disa ditë më parë. Çmimi i naftës ka shënuar një nivel 194 lekë për litër, ndërkohë që benzina shënonte vlera të ndryshme në disa pika, ku më e ulëta ishte 195 dhe më e larta 199 lekë për litër.

Luhatjet në çmimin e karburanteve prej dy vitesh janë bërë më të shpeshta, por duket se edhe këtë herë atributin për këtë shtrenjtim do ta marrin taksat. Kompanitë kanë përfunduar rezervat që kishin me një çmim më të leverdishëm dhe tashmë ka filluar karburanti i ri, që është importuar me taksë 7 lekë për litër, ndërkohë nga ana tjetër edhe dollari ka fituar sërish pikë ndaj monedhës vendase.

Ndonëse i vetmi vend në rajon që prodhon naftë, Shqipëria sërish është importuese neto e karburanteve. Pikërisht kjo rritje, thonë importuesit, është një ndër faktorët kyç, pasi nafta në tregjet ndërkombëtare blihet vetëm me dollarë. Edhe në bursa çmimi i naftës ka shfaqur një tendencë rritjeje, që gjithmonë u atribuohet vlerësimeve që kompanitë e riskut financiar bëjnë për shtete të rëndësishme apo trazirave dhe deklaratave politike mes vendeve të ndryshme.

Ndërkohë që në mars të vitit të kaluar, 1 litër naftë në disa prej pikave të tregtimit me pakicë ka kushtuar 160 lekë, ndërsa aktualisht çmimi ka arritur në 194 lekë. Sipas importuesve, rritja e çmimit ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar, çka ndikon menjëherë edhe në tregun vendas.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.