Roje në lojëra fati, SHKB arreston specialin e FNSH.

Një efektiv policie i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është vënë në pranga nga policia, mëngjesin e djeshëm. Burime zyrtare nga policia thanë se, i arrestuari është Klevis Sorra, 27 vjeç me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë së Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë. Nga të dhënat policore, bëhet e ditur se ai, është vënë në pranga nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
27-vjeçari sipas SHKB-së gjatë shërbimit në detyrë punonte dhe në një ambjent lokal, me synim përfitimin e paligjshëm të aktiviteteve të lojrave të fatit. Sipas policisë, këtë aktivitet efektivi i policisë e ushtronte prej disa kohësh, ndërsa agjentët e Kontrollit të Brendshëm kishin marrë informacione në rrugë operative në lidhje me këtë gjë.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Punonjësi i policisë është arrestuar pas një hetimi 3 mujor përmes strukturave të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këta të fundit kishin lëshuar urdhër-arrestin për ndalimin e tij, pas dorëzimit të dosjes nga SHKB-ja. Burime zyrtare nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, ndaj efektivit të FNSH-së janë ngritur akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Organizimit të paligjshëm të lojrave të fatit”. Ndërsa, dosja me materialet hetimore në lidhje me këtë proçedimi penal i ka klauar prokurorisë për hetime të tjera.
Add new comment