Rikthehet takimi ndërparlamentar Shqipëri- PE/ Kukan: Jemi të shqetësuar nga bojkoti i opozitës

Postuar në 18 Tetor, 2013 02:51

Pas humbjes së një viti kohë, më 28 dhe 29 tetor do të mbahet në Tiranë Komiteti i 6-të i Stabilizim- Asociimit PE-Shqipëri, siç përcakton neni 122 në Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit.

I parashikuar për t’u mbajtur gjatë tetorit 2012, ky takim ndërparlamentar u shty për në dhjetor dhe u anulua papritur, më pas, nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po kështu nuk u mbajt as mbledhja e pranverës, pasi përkonte shumë pranë zgjedhjeve e nuk garantohej vëmendja e duhur dhe angazhimi personal i deputetëve të përfshirë në fushatë zgjedhore.

Kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan tha për Top Channel: “Ka një interes të lartë mes eurodeputetëve. Do të shkojnë 11 eurodeputetë kësaj radhe, çfarë ndryshimi krahasuar me rastet e mëparshme! Ne mezi presim të flasim me kolegët për situatën aktuale. Do të donim sqarime edhe mbi disa lajme shqetësuese, që na erdhën në mbledhjen përgatitore për takimin ndërparlamentar, për bojkot të zgjatur të opozitës në disa takime komisionesh. Ne shpresojmë se këto janë zhvillime të pakonfirmuara apo rastësore, sepse të gjithë kanë një vullnet të mirë politik për të parë Shqipërinë të lëvizë më shpejtë drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuptim, ne të gjithë do ta përdorim këtë mundësi për të pasur një bisedë të hapur e të sinqertë me kolegët tanë. Siç e dini, kemi humbur dy takime të mëparshme ndërparlamentare ndaj duhet ta rrisim dialogun për të kompensuar çfarë kemi humbur. Pikëpamjet e përgjithshme rreth Shqipërisë janë pozitive në Parlamentin Europian, por ne duam të sigurohemi më shumë se nuk kemi të bëjmë vetëm me sinjale, por se kjo është atmosfera e re dhe e qëndrueshme politike në vend”.

Një vit më parë, axhenda për ballafaqimin e 6-të ndërparlamentar parashikonte diskutime mbi dialogun politik dhe zhvillimet në Kuvend, situatën ekonomike, luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar si dhe lirinë e medias.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.