Reichel: Ahtisari jep mjaft, nuk ka nevojë për plan të ri për veriun

Ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, ka thënë për “KIM Radio”, që është me rëndësi që të gjithë ta kuptojnë se ideja për ndryshimin e kufijve në Kosovë thjesht nuk është më gjë e mundshme.
Reichel ka deklaruar që nuk beson në mundësinë që veriu i Kosovës të ekzistojë si njësi politike, dhe ka vlerësuar se është i panevojshëm çfarëdo i ashtuquajtur Plani Ahtisari plus, për të cilin po spekulohet, raporton Koha Ditore.
"Sa i përket Planit të Ahtisarit, mendoj që ai tashmë është shumë zemërgjerë. Ai serbëve në Kosovë, por edhe komuniteteve të tjera u ofron mjaft liri dhe unë çdokujt do t’i kisha sugjeruar që së pari ta lexojë atë plan dhe të njihet me atë që shkruan aty, para se të fillojë të flasë për ndryshimet”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar që është shumë me rëndësi të kuptohet që KFOR-i dhe EULEX-i duhet ta zbatojnë mandatin e tyre në tërë territorin e Kosovës.
“Porosia ime e dytë për të gjithë, pra edhe për serbët në veri të Kosovës, është që të mendojnë se a është vërtet aq keq të jetojnë në Kosovë, ku sipas ligjeve ekzistuese u janë të siguruara të gjitha të drejtat. Jo vetëm sipas ligjeve të Kosovës, por edhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila është garanci që ato ligje do të zbatohen”, ka thënë ai.
Reichel ka theksuar që Beogradi tashmë një kohë të gjatë “po përpiqet që ta kushtëzojë dialogun me bisedime për kufij në veri të Kosovës që nuk është fare temë e dialogut”.
“Beogradi kërkon që tre zyrtarët kosovarë të doganës të tërhiqen nga të gjitha pikat kufitare dhe këto janë faktikisht parakushtet për dialog që as për palën kosovare as për Bashkimin Evropian nuk janë të pranueshme”, ka thënë ai.
I pyetur për t’i komentuar disa pohime nga Beogradi që shtetet kryesore perëndimore po e sjellin në situatë që të jetë humbës i plotë, sa i përket Kosovës, Reichel ka vlerësuar që “Beogradi po paraqet kërkesa joreale, e kjo assesi nuk e ndihmon, ngjashëm siç nuk e ndihmon as të lidhet për disa iluzione”.
“Neve në Evropë na duhet Serbia e shekullit 21 e jo Serbia e shekullit 19 dhe nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e BE-së, atëherë kjo është e mundshme vetëm për Serbinë e shekullit 21”, ka theksuar ai.
Kjo, sipas fjalëve të tij, mes tjerash, do të thotë që Serbia duhet të jetë në marrëdhënie të mira me fqinjën e saj që përsëri do të thotë që Serbia do të duhet që në ndonjë mënyrë të mësohet më ekzistimin e Kosovës.
"Qëllimisht kam thënë që Serbia duhet të pajtohet me ekzistimin e Kosovës, por kjo nuk do të thotë që duhet ta njohë atë”, ka thënë Reichel.
Ajo që ne në BE nuk e duam është konflikti, sepse konflikti i pazgjidhur territorial nuk mund të jetë pjesë e BE-së. Duhet të gjendet një rrugë me të cilën Serbia dhe Kosova mund të bashkëpunojnë në kushte normale, ka thënë ambasadori gjerman.
Koha Ditore
Add new comment