Regjistrimi i pasurive, Naço: Më shumë shërbime e transparencë.

Postuar në 13 Qershor, 2014 15:19

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të paluajtëshme që ka si qëllim forcimin e marredhënieve mes dy institucioneve duke përmbushur qëllimin e përbashkët për regjistrimin në kohë dhe me efikasitet të pasurive të paluajtshme.

Marrëveshja u firmos në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, nga Kryetarja e Dhomës së Noterise, Mimoza Sadushi dhe Kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive, Ilirjan Muho, ndërsa i pranishëm ishte dhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Ministri Naço përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur si shumë thelbësore në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe transparencën për qytetarin. “Nëpërmjet këtij bashkëpunimi marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy isntitucioneve do të hyjnë në një fazë të re dhe produkti pozitiv i këtij bashkëpunimi do të jetë real, i prekshëm për të gjithë qytetarët. E vërteta është se këto dy institucione, kryesisht, nuk japin tituj pronësie, por pranë këtyre institucioneve, qytetarët dhe secili prej nesh shkon për të formalizuar, sipas kërkesës së ligjit, vullnetin e tij, për veprime të ndryshme kryesisht të karakterit juridiko-civil.”, tha Naço.

Sipas tij, në këto institucione, qytetarët, bizneset, shoqatat, organizmat e ndryshme publike dhe private, vendas apo të huaj, për çdo veprim juridik ku kërkohet prezenca e tyre, janë të detyruar të paraqiten dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Ky vullnet fillimisht materializohet në akte të ndryshme noteriale dhe më pas ato depozitohen në zyrat e regjistrimit, të cilat kanë për detyrë mirë administrimin dhe regjistrimin e çdo akti të bërë, sipas frymës së ligjit dhe procedurave të përcaktuara prej tij, duke e pajisur qytetarin me çertifikatën e pronësisë apo dokumentin që vërteton të drejtat e fituara apo të tjetërsuara.

“Në tërësinë e veprimeve juridiko-civile, tha Naço, që kryhen në zyrat noteriale, kan qenë jo të pakta rastet kur akte të ndryshme noteriale të fitimit,  tjetërsimit të drejtave të pronësisë,  apo të të drejtave reale të lidhura me to,  kanë patur mangësi, apo në raste të tjera, nuk janë hartuar në formën e kërkuar nga kërkesat e ligjit, duke u lënë jashtë procedurave të regjistrimit.”

Ministri i Drejtësisë tha gjithashtu se, “jemi të gjithë të vetëdijshëm se, mungesa e një bashkëpunimi të vazhdueshëm institucional midis ZQRPP dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve, ka sjellë rëndomë që noterë apo punonjës të veçantë të zyrave të regjistrimit,  të mbajnë qëndrime të ndryshme mbi interpretimin e kërkesave të ligjit, apo të akteve të prodhurara dhe të paraqitura për regjistrim”.  Si pasojë, shtoi ai, proceset e transferimit dhe cerfitikimit të të drejtave të fituara janë zvarritur, shpesh herë duke keqorientuar palët kërkuese për zgjidhjen e cështjes në rrugë gjyqësore, apo duke investuar, shpesh herë në mënyrë të pamotivuar, strukturat e Ministrisë së Drejtësisë me inspektime dhe kontrolle rast pas rasti.

Ministri i Drejtësisë theksoi se nëpërmjet këtij memorandumi bashkëpunimi synohet të arrihet vendosja e një bashkëpunim të ndërsjelltë dhe të frytshmëm ndërmjet Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë në të gjithë territorin e vendit, çka do të sjellë si rezultat pozitiv, zbatimin e përpiktë të legjislacionit për tjetërsimin dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.