Reformat në shëndetësi, spanjollët sërish në protestë

Postuar në 02 Shtator, 2012 04:48

Emigrantët pa dokumenta në Spanjë do të humbasin të drejtën e kujdesit shëndetësor falas. Protestat sapo kanë nisur në Madrid, ku një rrethrrotullim u bllokua për rreth 1 orë, ndërsa manifestime të tjera planifikohen. Masat shtrënguese të Qeverisë që kanë hyrë në fuqi prej 1 shtatorit parashikojnë mes të tjerash edhe zhvlerësimin e kartave të shëndetit për të gjithë ata emigrantë pa dokumente të cilët nuk kontribuojnë në sigurimet shoqërore. 

Bëhet fjalë për një numër të madh punonjësish të cilët nuk do të kenë më mundësi të trajtohen falas në shërbimin shëndetësor publik. Më parë, ata mund të pajiseshin me kartë shëndetësore, thjesht duke u regjistruar si banues në Spanjë, pa lejen e plotë të qëndrimit. Nën presionin për të shkurtuar defiçitin buxhetor dhe barrën e borxheve që ka rrezikuar ekonominë spanjolle, qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Mariano Rajoy synon të ndalë atë që quhet "turizëm shëndetësor" në Spanjë nga një numër vendesh europiane. Masa pritet të kurse 1.5 miliardë euro në vit.

Qeveria e vendos numrin e të prekurve nga kjo masë shtrënguese në 150 mijë, por sipas medias vendase numri më realist do të ishte 910 mijë persona. Reformat në shëndetësi kanë zemëruar jo vetëm emigrantët, por edhe mjekët, të cilët thonë se do të vazhdojnë të trajtojnë emigrantët edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit. Protesta dhe manifestime ka pasur në disa qytete të Spanjës, ku edhe banorët janë solidarizuar me të huajt që preken drejtpërdrejt nga kursimet e Qeverisë.

 

 

 

Juli Prifti Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.