Reforma e Kuvendit, peng i një fjale, Dokle: Ende larg konsensusit

Postuar në 20 Janar, 2013 07:59

 

Debati për plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga Brukseli vijon ende të mos marrë përgjigje pozitive, duke mbajtur peng marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Në terrenin politik dhe tek dy forcat e mëdha nuk është gjetur mirëkuptimi për t’i dhënë fjalën e fundit përmbylljes së reformës parlamentare, e cila ka ngelur në një pikë; kohëzgjatja e fjalës së kreut të opozitës në parlament. Bashkëkryetari i grupit të punës për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, Namik Dokle, ka deklaruar se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po mbeten larg konsensusit për shkak të një ndryshimi në variantin e demokratëve, që parashikon se kreu i opozitës në parlament ka të drejtë të marrë fjalën vetëm pas fjalës kryesore të Kryeministrit. Sipas bashkëkryetarit Dokle, nocioni i fjalës kryesore është vendosur qëllimisht nga demokratët, për të përcaktuar në mënyrë arbitrare se kur do reagojë kryetari i opozitës në parlament. Dokle thotë se: “nëse Partia Demokratike nuk heq dorë nga ky propozim, nuk ka dakordësi nga socialistët”. Në këtë mënyrë, PD dhe PS po mbajnë në këtë mënyrë peng një prej rekomandimeve të Bashkimit Europian. Po përtej gjetjes së konsensusit nga të dyja forcat politike për reformën parlamentare, deputeti socialist Ben Blushi pretendon se kjo pikë e vendosur nga Bashkimi Europian por edhe ligjet e tjera do të miratohen pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. “Mendoj se do miratohen pas zgjedhjeve, se koha është shumë e shkurtër dhe asgjë nuk po ndryshon për t’i ofruar konsensus opozitës. Do e luajmë ndryshe. Me konsensus do përpiqemi të negociojmë me opozitën, diçka që kjo qeveri nuk e bën. Dhe s’është e gatshme ta bëjë”, – është shprehur Ben Blushi para tri ditësh në një emision televiziv. Tri ligjet Për më shumë se tre muaj, forcat politike në vend nuk dhanë konsensusin për të miratuar tri ligjet e rëndësishme që lidhen me reformën parlamentare, Gjykatën e Lartë, si dhe ligji “Për nëpunësin civil”. Për reformën parlamentare Partia Socialiste kërkon që kryetari i opozitës ta marrë fjalën sa herë që e kërkon atë, ndërsa demokratët e kanë përkufizuar “pas fjalës së rëndësishme të Kryeministrit”. Kjo për forcën opozitare është cilësuar si pa sens, pasi duket se s’mund të dallojnë dot se kur është kryesore fjala e Kryeministrit. Për sa i përket Gjykatës së Lartë, PS nuk dha “ok” duke e lidhur ngushtë këtë ligj me zbatimin e gjykatave dhe kryesisht me çështjen e shumëpërfolur të Fierit. Ndërsa një tjetër ligj ka të bëjë me ‘nëpunësin civil’, i cili u kthye edhe njëherë mbrapsht për t’u riparë nga qeveria.

 

MAPO

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.