Referendumi për tre ligjet, Fule: Është e kundërta e asaj që kërkon BE, konsensus qeveri-opozitë

Postuar në 02 Mars, 2013 14:47

 

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule ka reaguar brenda 24 orësh nga marrja e vendimit prej mazhorancës qeverisëse për mbajtjen e një referendumi mbi dy ligjet e mbetura dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Fule deklaron se referendumi mbi këto 3 çështje është qartazi e kundërta e asaj çfarë kërkon Bashkimi Europian.

Stefan Fule, deklarata:

“Kam theksuar vazhdimisht se ligjet e në veçanti rregullorja e Kuvendit duhet të miratohen me konsensus mes opozitës dhe qeverisë ndaj dhe është e vështirë për të kuptuar këtë vendim që shkon kundër frymës së përfshirjes.

“Mbajtja e një referendumi në këtë rast nuk është rruga se si ndërtohet konsensusi ndërpartiak. Kjo nuk mund të jetë një mënyrë për të anashkaluar mungesën e dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për axhendën e BEsë. Kjo nuk është mënyra për të përmbushur kërkesat e domosdoshme.

Unë kam nënvizuar në raste të ndryshme se procesi i reformave të kërkuara nga BE duhet të jetë i qëndrueshëm, i vetëmotivuar dhe i drejtuar me konsensus. Vetëm një dialog konstruktiv politik mund të çojë përpara reformat e nevojshme.

Unë inkurajoj fuqimisht të gjithë politikanët shqiptarë për të gjetur një marrëveshje për mënyrën se si duhet të vazhdohet me përmbushjen e masave kyçe, që janë thelbësore për marrjen e statusit kandidat”.

Kërkesa për mbajtjen e një referendumi u firmos së pari nga kryeministri Berisha, i ndjekur nga kryeparlamentarja Topalli e 65 deputetë të tjerë të mazhorancës. Kjo nismë u konsiderua e paligjshme dhe jokushtetuese nga opozita. Përgatiti Arta Tozaj

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.