Reagon Ruli: Qumështin e kemi të sigurt, por kemi nisur sërish kontrollet

Pas lajmit se Kosova ka bllokuar si të rrezikshëm qumështin nga Shqipëria, ka reaguar edhe Ministria e Bujqësisë. Sipas saj, qumështi në Shqipëri është i sigurt, por megjithatë kanë nisur sërish kontrollet pas lajmeve nga Kosova.
“Duke marrë shkas nga lajmet dhe veprimet e më të fundit të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për bllokimin e përkohshëm të disa lloj qumështi, Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bën me dije se janë ndërmarrë nisma urgjente për të sqaruar gjendjen aktuale të këtij segmenti të tregut në Shqipëri. Konkretisht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur menjëherë veprimet në terren, ku janë marrë mostra të qumështit të cilave do tu bëhen analizat për të verifikuar përmbajtjen ose jo të Alfatoksinës. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, pas njoftimeve zyrtare nga autoritetet homologe në rajon janë marrë mostra të qumështit Dukat dhe shumë shpejt pritet që të përfundojnë analizat në laboratorët e specializuar të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bën me dije se AKU ka bërë kontrolle periodike apo dhe të befasishme te prodhuesit dhe importuesit e qumështit, të cilët i nënshtrohen analizave dhe në kontrollet e bëra në të shkuarën nuk ka rezultuar përmbajtja e Alfatoksinës. Çdo produkt që del nga njësitë e prodhimit në treg, apo hyn në Shqipëri nga subjekte importuese shoqërohet me certifikatat e nevojshme veterinare,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë.
TEMA
Add new comment