Raundi i gjashtë i dialogut Prishtinë – Beograd

Postuar në 04 Mars, 2013 02:15

 

BRUKSEL- Në Bruksel fillon sot raundi i gjashtë i dialogut midis Prishtinës dhe Beograd, të përfaqësuar në nivel kryeministrash me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Ashton.

Tema kryesore e këtij raundi do të jetë veriu i Kosovës dhe propozimi për asociacionin e komunave serbe në Kosovë.  Lidhur me Bashkësinë e këtyre komunave, Beogradi kërkon që ajo të ketë kompetenca ekzekutive, një kërkesë që refuzohet nga Prishtina zyrtare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiq pas mbërritjes mbrëmë në Bruksel kanë pasur takime të ndara me zëvendës – ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Filip Riker, i cili i ka dhënë mbështetje të gjërë procesit të dialogut. Siç mësohet Riker ka kërkuar që palët të mbyllin çështjet e hapura përmes kompromisit dhe vullnetit të dyanshëm.

Axhenda e këtij raundi parasheh takime të ndara të baroneshës Ashton me Thaçin dhe Daçiq, ndërsa më pas vijon takimi i përbashkët.

Mundësinë e mosarritjes së marrëveshjes për Veriun as në raundin e gjashtë të bisedimeve në Bruksel nuk e përjashtoi as Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Në një prononcim për Express të dielën, ai tha se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje që nuk përkon me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. “Delegacioni ynë shkon me bindje që duhet të arrihet marrëveshje, por në çdo rast në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona. Në rast tjetër nuk do të ketë marrëveshje”, ka thënë Kuçi.

Zëvendëskryeministri bëri të ditur se i njëjti parim vlen edhe për pozicionimin sa i përket shpërbërjes së strukturave ilegale të sigurisë, që Serbia ka instaluar në Veri të vendit. “Pritet të sqarohet edhe çështja e strukturave të sigurisë dhe të drejtësisë”, tha Kuçi.

Marko Gjuriq, këshilltar i presidentit serb ka theksuar se qëndrimi i Prishtinës nuk ka ndryshuar as një milimetër nga fillimi i negociatave. Ai ka theksuar se presin sot të qartësohet procesi dhe arritja e kompromisit.

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.