Raporti: Deputetët falsifikojnë firmat për 2500 lekë, miratohen ligje pa kuorum

Në botimin periodik të lëvizjes “Mjaft, për periudhën 15 shtator-24 dhjetor 2012, pasqyrohet si shkelje e rëndë ndryshimi i procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve nga administrata e Kuvendit
TIRANË Në botimin periodik të lëvizjes “Mjaft”, që sjell një pasqyrë të hollësishme të veprimtarisë së Kuvendit për periudhën 15 shtator-24 dhjetor 2012, situata në organin legjislativ sa vjen e përkeqësohet. Kuvendi sërish shkel rregulloren dhe sjellë mangësi gjatë procesit të votimit në seancë plenare, në respektimin e etikës parlamentare si dhe evidenton prezencë fiktive të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Konkretisht, lëvizja “Mjaft” vëren se për këtë periudhë monitorimi rezulton të jenë kryer 23 shkelje të Rregullores së Kuvendit përsa i përket: etikës parlamentare, votimit për kolegun, mos respektimi i kuorumit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe shkelja e nenit 50, ku përcaktohet e drejta e replikës dhe koha e diskutimit. Një tjetër shkelje e dukshme është edhe mungesa e korrektësisë së treguar nga ana e kryetarëve të komisioneve parlamentare në respektimin e kuorumit të nevojshëm për çeljen e mbledhjeve dhe miratimin e ligjeve. Sërish problematik gjatë kësaj periudhe monitorimi ka rezultuar komisioni parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin me 10 projektligje nga 18 të miratuara, të cilat janë votuar në kushtet e shkeljes së nenit 34 të rregullores. Mungesa e deputetëve në komisione ka sjellë edhe fenomenin e prezencës fiktive të deputetëve në mbledhjet e komisioneve si dhe ndryshimin e përmbajtjes së procesverbaleve të mbledhjeve nga administrata e Kuvendit. Në raportin ”Unë Votoj” citohet se për periudhën 15 shtator – 24 dhjetor janë verifikuar 85 procesverbale zyrtare të marra nga faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe janë ballafaquar me të dhënat e skuadrës ‘Unë votoj’. Nga ballafaqimi i procesverbaleve rezulton se nga 85 të tilla 43 prej tyre janë të ndryshuara. Skuadra “Unë votoj’ vëren se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012, nuk është evidentuar asnjë rast i tillë. Kjo shkelje, sipas raportit, i ka shkaktuar Kuvendit të Shqipërisë një dëm financiar prej 567 500 lekë të reja.
Grupet e interesit
Një tjetër fakt i nxjerrë nga monitorimi sistematik i komisioneve parlamentare lidhet me seancat dëgjimore me grupet e interesit. “Zhvillimi i vetëm një seance me grupe interesi, dhe 8 seancave të tjera dëgjimore me përfaqësues të ekzekutivit, tregon karakterin formal të procesit të shqyrtimit dhe miratimit të projektligjeve nga Kuvendi i Shqipërisë”,- thuhet në raport. Zbatimi i nenit 36 të rregullores, i cili parashikon zbatimin e praktikave konsultative të parlamentarëve me publikun, grupet e interesit dhe aktorë të shoqërisë civile, ka treguar një tendencë në rënie gjatë këtij sesioni. “Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton se nuk ka asnjë ndryshim pozitiv sa i përket numrit të dëgjesave publike me grupet e interesit”, thuhet në raport. Skuadra ‘Unë votoj’ ka evidentuar edhe shkelje mbi respektimin e etikës parlamentare dhe nenit 50 të rregullores mbi të drejtën e replikës. “Gjatë muajve shtator-dhjetor 2012, vihet re një shtim i rasteve ku kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, në mënyrë të vazhdueshme ka ndërhyrë duke i ndërprerë fjalën deputetëve të opozitës, për të replikuar ndaj tyre për çështje të cilat nuk lidheshin me kontekstin e diskutimit. Gjithashtu, për të njëjtën periudhë raportimi, janë regjistruar disa raste kur nuk është zbatuar e drejta e replikës e kërkuar nga deputetët e opozitës. Kjo e drejtë ligjore është e sanksionuar në nenin 50 të Rregullores së Kuvendit”, – thuhet në raport. Në raportin periodik vijojnë sërish rastet e shkeljes gjatë procesit të votimit në seancë plenare. Gjatë periudhës 15 shtator – 24 dhjetor 2012 janë konstatuar tre raste të shkeljes së Rregullores, ndryshe nga një vit më parë, kur ishte shënuar vetëm një rast.
MAPO
Add new comment