Rama: Shterimi i një modeli zhvillimi e ka kthyer ekonominë në gropë thithëse

Kryefjala e mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS ka qenë gjendja e ekonomisë shqiptare, e cila sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama është kthyer në një gropë thithëse dhe se të dhënat e qeverisë mbi rritjen ekonomike janë të manipuluara.
Kreu i PS theksoi gjatë mbledhjes së sotme se, rrënimi i ekonomisë shqiptare ka ndodhur për shkak të shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi nga ana e qeveris ëdhe sipas tij nevojitet një ndërhyrje e menjëhershme me reforma për të rimëkëmbur këtë gjendje.
Rama i është referuar sërish sistemit të taksimit, ku ka kërkuar sërish që të hiqet taksa e biznesit të vogël, që e ka çuar drejt rrënimit këtë kategori, por që sipas kreut të PS është faktor primar edhe për rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare në tërësi.
“Është e kotë të diskutojmë nëse jemi në një periudhë krize, pasi shifrat tregojnë se jemi në një periudhë të rrënuar të ekonomisë reale. Kjo është më shumë se një recesion. Kjo është më shumë se një krizë ciklike; kjo është pasqyra e shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi e sigurisht përkon me dallgët e një krize ekonomike më të madhe se territori i Shqipërisë. Në këto kushte dua të përsëris se është e domosdoshme që të ndërmerret ai hap që kemi kaq kohë që e themi, heqje takse biznesit të vogël se çdo muaj që kalon përkon me një rrënim që për shumë biznese mund të jetë një rrënim i pakthyeshëm”, – tha Rama.
Rama bëri thirrje që frenimi i rrënimit të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare të bëhet përmes votimit masiv më 23 qershor.
SHQIP
Add new comment