Rama: Ne nuk kemi marrë mandat për të harruar krimet e pagjykuara. Do t’i ngremë kokën Shqipërisë

Postuar në 12 Shtator, 2013 07:32

Kërkesa ndaj Metës - “Unë e ftoj dhe e mbështes Kryetarin e Kuvendit që të vigjilojë me paanësi nga lartësia detyruese e funksionit që mban, për të mos e lejuar vazhdën tradicionale të nëpërkëmbjes brutale të opozitës në këtë sallë”

 

Konsensusi - “Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera dhe do të qeverisim me vlerat e me bindjet tona të shpallura”

Legalizimet - “Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën bregdetare”

 

Fjalimi 

Kryeministri: Do të legalizojmë falas shtëpitë, jo vilat në bregdet

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Legalizimet - “Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën bregdetare”

Punësimi - ”Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e punësimit real, jo tuneli i rritjes së papunësisë”

Doganat - “Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, gjatë këtij mandati, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë europiane”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, paraqiti dje në Kuvend programin katërvjeçar të qeverisë së re. Fjalimi ishte pak më i zgjeruar sesa drafti programatik që iu shpërnda deputetëve, Më poshtë po botojmë me shkurtime fjalimin e Ramës. 

Mesazhi ndaj opozitës

…S’është as qëllimi im sot dhe as vizioni im për qeverisjen e katër viteve të ardhshme, që të marrim kohën e punëve të panumërta të qeverisë dhe kohën e shqiptarëve që na votuan për shumë punë e pak fjalë, duke i bërë karshillëk opozitës.

Unë besoj se shqiptarët na votuan ndër të tjera, edhe për t’i dhënë fund atij karshillëku banal ndaj opozitës që mori jetë për vite me radhë në këtë foltore, e në këtë sallë. Pasqyra e historisë së re na vlen në radhë të parë ne, fituesve, për të mos e harruar asnjë çast se thellësinë e fitores së 23 qershorit, njësoj si atë të marsit ’92, nuk e përcaktoi dëshira për t’u ndërruar njerëzve vendet në këto karrige. As dëshira për të ndërruar kryeministrat e ministrat apo partitë e djathta e të majta, me njëra-tjetrën në pushtet. Jo! Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë – duke nisur padyshim nga ndryshimi i modelit qeverisës. Ja pse sot unë vij për të marrë detyrën e lartë me ndjenjën e një përuljeje, që ndoshta nuk do ta kisha pasur kaq të thellë pas një fitoreje të zakonshme në përmasë e në përmbajtje. Ja pse vij me vullnetin për të mbajtur larg nga kjo shumicë e re qeverisëse në këtë sallë, çdo ndjenjë triumfalizmi, çdo shfaqje arrogance ndaj pakicës, çdo shprehje mendjelehtë të inercisë në rrugën e vjetër të përbuzjes ndaj përfaqësuesve të opozitës. Ja pse vij i përgatitur për t’i thënë opozitës, drejtpërdrejt në sy se, marr sot përsipër përgjegjësinë të sigurojmë që asgjë që neve vetë na u mohua deri dje në opozitë për shkak të qeverisë së vjetër, nuk do t’i mungojë më tej opozitës për faj të qeverisë së re. Unë besoj se, në fund të fundit, cilësia e bashkëjetesës demokratike të çdo dite nuk varet assesi nga fakti nëse biem ose jo dakord, por nga mënyra se si e jetojmë mosdakordësinë. Duke u dëgjuar edhe pa rënë dakord apo duke u sharë pa u dëgjuar? Duke respektuar te tjetri kundërshtarin apo duke parë te njëri–tjetri armikun? Duke ndërtuar me durim kulturën e gjithëpërfshirjes apo duke ushqyer sa herë të vijë rasti dhe të ndizet mikrofoni traditën e dasisë? Në fund vendos gjithnjë shumica, po është cilësia e bashkëjetesës ajo që ndryshon. Me këtë besim dhe në respekt të çdo zgjedhësi të pakicës, unë e ftoj dhe mbështes Kryetarin e Kuvendit që të vigjilojë me paanësi nga lartësia detyruese e funksionit që mban, për të mos e lejuar vazhdën tradicionale të nëpërkëmbjes brutale të opozitës në këtë sallë. Jam i bindur se me zgjedhjen e tij, dje, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, koha e ndërhyrjeve pa vend, fyerjeve pa shkak, batutave pa shije nga ajo lartësi drejt deputetëve në sallë dhe publikut në ekran ka perënduar përgjithnjë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Në radhë të parë për opozitën. Ashtu siç duhet të jenë të gjithë të bindur se është këputur, përgjithnjë, shiriti i pambarimtë i fjalimeve kryeministrore pa fillim as fund dhe ka perënduar edhe koha, kur kryeministri ndërhynte pas çdo deputeti të opozitës me librin e shtëpisë së tjetrit në dorë. Edhe ky është një lajm i mirë për të gjithë, sidomos për opozitën. Si për ironi të fatit të vet, Partia Demokratike po fillon jetën opozitare me një kryetar që s’e ka deputet, po kryetar bashkie të Tiranës. A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk ia ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pa kursim në një mallkim që e ka lënë sot si pa kokë? Por sidoqoftë kjo nuk mund të bëhet çështja jonë. Ne nuk kemi ardhur në këtë Kuvend për t’i kërkuar opozitës ku e ka kokën, po për t’i ngritur Shqipërisë kokën lart.

1 milion njerëzit që i dhanë jetë kësaj shumice të re, nuk votuan për të na ndarë ne, këtu, në fitues dhe në humbës, po për të mos mbetur ata vetë të humburit në inercinë e një lirie të zhveshur prej kuptimit të saj; një lirie ku në vend të demokracisë së çdo dite, njeriut të zakonshëm i kanë mbetur egërsia, pasiguria, padrejtësia që çdo ditë sjell me vete; familjes së zakonshme i ka mbetur ankthi që rritet përreth nga varfëria, papunësia, grabitjet dhe vrasjet; Shqipërisë së zakonshme i ka mbetur vala e një shkatërrimi epokal mu në kurrizin e vet, që përpin përditë tokë buke, shtretër lumenjsh, pyje, plazhe, kodra, monumente kulture, si të luhej një film i projektuar nga armiqtë më të betuar të këtij vendi.

Vlerat

Ja dhe vlerat tona: Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës. Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit; solidariteti me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale. Ja edhe bindja jonë: Shqipëria meriton më shumë. Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që e kanë lidhur këmbë e duar dhe po e mbysin. Nuk e meriton Shqipëria as renditjen në fund të çdo tabele ndërkombëtare për standardet e jetës së shqiptarëve dhe të shërbimeve publike për qytetarët e saj. As imazhin e rënduar si mos më keq në tërë këto vite, kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë jo natyrë, radhë jo zakon, vend jo model, nuk e meriton Shqipëria.

Vizioni

Vizioni ynë është ‘Një rilindje shqiptare’. Misioni ynë është të ecim më shpejt, për të ndërtuar ‘Shqipërinë e gjeneratës tjetër’. Funksioni ynë është mirëqeverisja për të përmbushur zotimet tona duke vënë në jetë, me kurajë dhe vendosmëri politika të reja dhe duke i dhënë jetë, një kulture të re të ushtrimit të pushtetit.

Premtimet

Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pagjykuara që janë bërë. Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre. Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij. Mandati ynë na është dhënë për të bërë transparencë të plotë, të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion e krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur. E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pronat e shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në Kuvend…

Drejtësia

Ne, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, nuk kemi padyshim as mandat për të bërë sehir rrënimin e sistemit të drejtësisë në këtë vend. I yni është një mandat që na është dhënë, qëllimisht, i blinduar nga populli sovran, deri në pragun e shumicës së cilësuar; për të bërë me vizion, kurajë, ritëm të lartë, reforma të mëdha të shtetit dhe për të mos i ngritur duart lart para popullit që kërkon drejtësi, duke u mjaftuar me shprehjen “prokuroria është e pavarur, gjykatat janë të pavarura”. Sigurisht që organet e drejtësisë janë të pavarura sipas Kushtetutës së Republikës sonë. Po fati i përpjekjes për një drejtësi të drejtë, varet padyshim edhe nga Parlamenti, edhe nga qeveria, edhe nga vetë shoqëria po e po. Ne do ta bëjmë Kuvendin dhe qeverinë pjesë shumë aktive të kësaj përpjekjeje, për shqiptarët, po edhe për vendin tonë në familjen europiane – ku s’do të ketë vend për ne në tryezën e të barabartëve, nëse s’do të bëhemi të barabartë para ligjit këtu, në këtë vend. Dora jonë e bashkëpunimit me pushtetin gjyqësor do të jetë e shtrirë pa kushte. Në katër vitet që vijnë, opinioni brenda sistemit të drejtësisë do të dëgjohet me respekt për çdo vendim ose reformë, që lidhet me mirëfunksionimin e prokurorisë apo gjykatave.

Ne do të bëjmë çmos që t’i mbështesim organet e drejtësisë, me mjete financiare e logjistike për të përmbushur detyrimin e tyre kushtetues ndaj publikut në kushte sa më normale… Në mbrojtje të bindjes sime të hershme se kur një vend qeveriset përmes padrejtësisë, është e kotë ta kërkosh drejtësinë në prokurori e gjykatë, dua t’ju them sot të gjithëve në këtë vend se sensi i të drejtës do të më udhëheqë, në çdo vendim e veprim si Kryeministri juaj.

Kodi Etik

Sipas një praktike të mirë të djepit të demokracisë moderne, Britanisë së Madhe, ne do të miratojmë në mbledhjen e parë të qeverisë Kodin Etik të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Ky kod do të sanksionojë angazhimin formal, të secilit dhe të gjithë skuadrës qeveritare të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për të qëndruar në detyrën e lartë me nderin dhe me dinjitetin që shqiptarët menduan se do të kemi në qeverisje, kur na dhanë 1 milion vota. Ata e dërrmuan me plot 1 milion shuplaka pushtetin e forcës, sepse duan të qeverisen nga pushteti i shembullit. Ne jemi këtu për t’ua plotësuar këtë ekzigjencë themelore dhe për të qeverisur me forcën e shembullit…

Varfëria dhe papunësia

Ne jemi këtu për t’i luftuar pa pushim këta armiq, duke e nisur çdo ditë të re me kundërvënien ndaj varfërisë së aspiratave dhe duke e ushqyer përditë qeverisjen tonë, me aspirata të larta për Shqipërinë. Shqipëria e varfër e 1 milion të papunëve, pas gati çerekshekulli liri, është më së pari pjellë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë udhëhequr duke e tradhtuar;

Shqipëria e gjysmës së më të rinjve analfabetë funksionalë, dy dekada dhe kusur pas rënies së komunizmit, është më së pari bijë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë drejtuar duke e gënjyer;

Legalizimet

Jemi zotuar se do të legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale brenda këtij mandati. Nuk tundemi nga ky zotim. Zbatimin e planit të detajuar për ta përmbushur në harkun e katër viteve nga Paskuqani në Sauk, nga Kodra e Priftit në Bathore, nga këneta e Durrësit në lagjen “Marlulaj” të Shkodrës, nga lagjja “5 Maji” e Elbasanit në lagjen “Afrim i Ri” të Fierit e në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës, unë do ta mbikëqyr drejtpërdrejt vetë siç u kam premtuar atyre njerëzve, në çdo hap. Do t’i bëjmë këto realitete migjeniane, pjella të varfërisë së aspiratave, modele të vizionit tonë të ri të zhvillimit urban të Shqipërisë për të respektuar aspiratat e atyre që i kanë ndërtuar ato shtëpi. Por një gjë të mos e ngatërrojë askush: Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën bregdetare. Dhe jo e jo ndërtime të paligjshme për të bërë biznes duke i bërë shtetit ngado një karshillëk të paparë, thellësisht antieuropian e fyes për dinjitetin e shoqërisë. Ndërsa të varfërve që kërkuan Amerikën këtu në Shqipëri, duke ardhur nga humbëtirat e varfërisë e të papunësisë, për të ndërtuar një jetë të re rreth Tiranës e qyteteve të mëdha, ne nuk do t’u kërkojmë lekë, por vetëm përmbushjen e detyrimeve të zakonshme të çdo shtetasi për ujin, dritat, plehrat, zengjinëve të betonarmesë së hedhur kuturu pa asnjë leje e gajle për të drejtat e pronës, komunitetit, natyrës, do t’u rezervojmë një faturë sa të kripur aq edhe të paharrueshme. Mjaft e kanë dëmtuar Shqipërinë, është koha ta dëmshpërblejnë publikun. Kjo qeveri do t’ua kërkojë dhe marrë dëmshpërblimin një më një.

Taksimi

Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi, mjeku, polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm. Sipërmarrësit e vegjël, gabimisht quhen biznesmenë, po në fakt janë familjarë të vetëpunësuar që nuk do të paguajnë më për furrën e tyre të bukës, kafenenë në cep të pallatit apo dyqanin e vogël të mbijetesës, sa ç’paguajnë fabrikat e çimentos, kompanitë e naftës apo hotelet në zemër të Tiranës. Ata shpëtuan më 23 qershor nga tatimi i dyfishtë antikushtetues dhe taksa e tyre e biznesit të vogël nuk do të ekzistojë më. Ne do të bëjmë çmos në këto katër vite që ta nxjerrim biznesin e vogël nga kthetrat mbytëse të borxheve për të paguar taksa dhe të fusim sa më shumë familjarë në rrugën e vetëpunësimit. Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve. Do të ecim hap pas hapi, me planin tonë konkret në përmbushjen e këtij zotimi dhe në fund të mandatit tonë, shtresa e mesme, si edhe më të varfrit do të kenë më shumë para në xhep, e do të shërbehen më mirë. Jemi zotuar se do ta mbështesim biznesin duke krijuar një marrëdhënie të re partneriteti me sipërmarrësit dhe do të ndalim rrënimin e tij duke shkatërruar monopolet, shkrirë klientelat, thirrur në skenë lirinë e konkurrencës. Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, gjatë këtij mandati, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë europiane; për të rritur të ardhurat në buxhet, jo duke tkurrur biznesin me kontrolle të dhunshme e gjoba arbitrare, po duke vendosur rregulla të qarta, të qëndrueshme e të respektuara nga të dyja palët; për të ecur më shpejt drejt heqjes së referencave dhe shpartallimit të mbretërisë së ryshfetit në dogana e tatime. Doganierët e Shqipërisë nuk do të jenë më ushtria e partisë.

Shëndetësia

Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, por nga nevoja – duke filluar nga shëndetësia e arsimi padyshim. Cilido që merret me politikë këtyre anëve dhe vazhdon të mendojë se shëndeti është mall që blihet e vazhdon të thotë, kujdesi shëndetësor merret vetëm me para, sepse shëndetësia kushton, prandaj kush s’ka para nuk duhet të sëmuret, i ka merituar qoftë dhe për kaq të 1 milion shuplakat e 23 qershorit. Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë dhe ky mandat do të jetë mandati i një reforme radikale në shëndetësi. Ne do të themelojmë shërbimin kombëtar shëndetësor që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim. Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor – falë shtetit që nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë. E rëndësishme është që përtej debatit mes palëve, që në këtë rast i ngjan atij debatit të famshëm të Kostandinopojës për gjininë e engjëjve teksa muret e qytetit po binin përgjithmonë nga lufta, ne t’ia marrim spitalet pushtetit të korrupsionit, pisllëkut e matrapazllëkut dhe t’ua kthejmë njerëzve. Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh mu te sheshi i spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet. Dinë të thonë vetëm s’bëhet, s’bëhet ndryshe dhe të bëjnë sehir rrënimin, siç bënë 8 vjet me radhë, ndërkohë që duhet të vizitohen se mos përveç pushtetit, kanë humbur edhe zemrën.

Arsimi

Do të jem gati po ashtu të dal pas katër vjetësh përpara çdo mësuesi e nxënësi, me krenarinë që koha e dhunës psikologjike për t’i kthyer ata në skllevër të partisë në pushtet, koha e kryeministrit që u futet në oborr e në klasë për të sharë opozitën para kalamajve, koha e drejtorëve që mbyllin shkollat për t’i marrë me pahir si bagëti në mitingjet e barinjve të qeverisë, do të ketë mbetur vetëm një ëndërr e keqe që u tret në dritën e 23 qershorit 2013. Ëndërr e keqe do të ketë mbetur edhe moslejimi i përfaqësuesve të opozitës në auditorët e universiteteve për të komunikuar idetë e tyre me çdokënd që ka interes t’i dëgjojë. Por edhe me krenarinë që atë ditë nuk do të kem status të posaçëm vetëm unë, Kryeministri, por edhe çdo mësues e mësuese e Shqipërisë. Jemi zotuar që t’i kthejmë shkollës lirinë e një hapësire të dijes, përgjegjësinë e një qendre të komunitetit, solidaritetin mes mësuesve – prindërve – qeverisë. Këtë do të bëjmë përmes zbatimit rigoroz të programit tonë qeverisës. Kemi gati planin e veprimit për të filluar nga projektet pilot të zgjedhjes së mësuesve në bashkëpunim me përfaqësuesit e prindërve. Kemi gati projektin për të nisur programimin e tabletave elektronike dhe shtrirë vit pas viti në shkolla, teknologjinë e re që do të zëvendësojë librat e dërrasat e zeza. Kemi gati reformën e domosdoshme të teksteve shkollore dhe të maturës shtetërore për t’i dhënë kuptim konkurrencës dhe meritës përgjatë gjithë viteve, si edhe për të zmbrapsur lumin shpartallues të prurjeve pa kriter e as karar në dyert e universitetit. Besoj se është lajm i mirë për opozitën që në tekstet e historisë për nxënësit nuk do të lejohet përfshirja e figurave heroike të Kryetarit të Kuvendit apo të Kryeministrit të Shqipërisë…. Jemi zotuar të akreditojmë universitetet dhe të ndryshojmë rrënjësisht rrugën e arsimit të lartë, duke i hapur rrugë lirisë së konkurrencës dhe krijuar kushte për vlerësimin e meritës; qoftë mes universiteteve, pa dallime publike apo private; qoftë mes studentëve që duan të hyjnë në universitet, apo që duan diplomë nga universiteti. Do të ndërtojmë një urë dialogu e bashkëpunimi sistematik me rektoratet e dekanatet, por nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me shpërdorimet e parave, me shitblerjet e provimeve, me logjikën e kastës kudo dhe kurdo ajo të shfaqet, sidomos nëse shfaqet në formën e autonomisë për të bërë dëm. Financimi ynë për arsimin e lartë do të bazohet në rezultate, jo në dogmat e socializmit të vjetër apo të fanatizmit të tregut. Jemi zotuar t’u japim të rinjve edhe një rrugë tjetër përveç asaj të universitetit: rrugën e arsimit profesional. Reforma për ndërtimin e një sistemi të arsimit profesional, që të jetë tërheqës për të rinjtë dhe i dobishëm për punësimin e tyre, në qytet apo në fshat, do të jetë një reformë shumëplanëshe në bashkëpunim me biznesin dhe me partnerët ndërkombëtarë do të përfshijë një sërë ministrish.

Toka

Jemi zotuar ta vendosim shtetin në krah të çdo familjeje që jeton me tokën në fshat dhe për të hapur bashkë me bujqit e fermerët e këtij vendi, rrugën e re të zhvillimit modern rural në Shqipëri – duke filluar menjëherë nga puna për të përmbushur zotimin e dhënies së certifikatës së pronësisë mbi tokën, të gjithëve atyre që u takon me ligj. Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerekshekulli dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e besuar se do ta marrin ndonjëherë, prandaj marrin arratinë për të punuar në dhe të huaj, ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë. Por kujdes, asnjë keqkuptim: Zbatimi deri në fund i 7501-shit nuk do të jetë zgjatje e kalvarit pafund të pronarëve, por fillimi i rrugës së zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronës.

Pronat

Ne do të nisim menjëherë nga puna për planin e përgjithshëm kombëtar, që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit tërësor, por edhe harta orientuese për rrugët e hapësirat e kompensimit real të pronarëve. Kaosi i njëzet e kusur viteve, mbivendosjet e panumërta të pronës së pretenduar, operacionet e grabitjes së trojeve, e kanë bërë të mundur një zgjidhje optimale për të gjithë. Mungesa e kurajës për ta parë realitetin në sy nga frika e humbjes së votave në zgjedhjet e ardhshme, mbajtja varur e të gjithëve nga fushata në fushatë me premtime të pambajtshme dhe nga mandati në mandat me masa gjysmake, të cilat vetëm e kanë ngatërruar ende më shumë zinxhirin e pronës, kanë një kosto për të gjithë. Kjo kosto vetëm rritet nga mosveprimi. Prandaj të gjithë duhet të marrin koston e tyre; duke filluar nga qeveria dhe unë personalisht, që nuk mund të vazhdojmë rrugën e vjetër, tërhiq e mos e këput, edhe juve do t’ju legalizojmë, edhe juve do t’ju kompensojmë, edhe juve do t’ua plotësojmë, edhe ju të tjerëve do t’ua falim; e duke vazhduar me gjithë aktorët dhe grupet e interesit që lidhen me këtë temë gangrenoze të jetës sociale të tranzicionit. Por ky është dhe momenti për ta thënë: Përpara çdo vendimi, mes interesit të vendit dhe interesit për t’u rizgjedhur, unë do të zgjedh gjithnjë të parin.

Auditi

Nuk dua të ul pritshmërinë e askujt. Jo se nuk e di në çfarë vështirësish është Shqipëria, arka e saj, edhe pse ka më tepër se një dyshim të arsyeshëm që gjendja e vërtetë e ekonomisë, është ende shumë më e rëndë nga çfarë shohim. Prandaj do të thërrasim menjëherë në ndihmë një forcë audituese ndërkombëtare, me pavarësi e reputacion botërisht të padiskutueshëm, për të audituar imtësisht xhepat e shtetit. Prandaj do të nisim urgjent procesin për të binjakëzuar INSTAT-in me institucionin qendror të statistikave të një shteti anëtar të Bashkimit Europian, në mënyrë që shifrat e rritjes ekonomike, papunësisë, analfabetizmit, varfërisë dhe popullsisë, të mos i gatuajë zyra e Kryeministrit por t’i nxjerrë një INSTAT i pavarur politikisht dhe i aftë profesionalisht. Prandaj kemi mirëpritur misionin e përbashkët të FMN-së e të Bankës Botërore, të kërkuar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, me mirëkuptimin tonë më të plotë dhe prandaj po presim me padurim të shohim rezultatet e të këqyrim sugjerimet e këtij misioni. Prandaj edhe po përgatitemi për të biseduar nga afër me FMN, jo domosdoshmërish për të rinisur një program të ri me të, po për të kuptuar deri në fund se sa më e thellë nga ç’duket është kriza dhe si t’i përgjigjemi kërcënimit të shpërthimit të saj.

 

Ish të përndjekurit - Në lozhën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm ish të përndjekurit që u futën në grevën e urisë kohë më parë, si Perikli Shqevi, Skënder Tufa, Xhemal Zhuri, Ismet Shoshori, Petrit Lupo, Fejzulla Seferi, Islam Spahit e Agron Talo. Ata kanë duartrokitur disa herë fjalimin e Kryeministrit Edi Rama. Madje kanë reaguar dhe në momentin kur Berisha me deputetët e PD-së lanë partinë. Ish të përndjekurit kanë protestuar ndaj qeverisë Berisha, madje kanë hyrë në grevë urie. Nga kjo protestë u vetëflijua Lirak Bejko.

Karriget e ministrave - Numri i lartë i ministrave i ka detyruar ata të ulen sipas një radhe të caktuar. Kështu, ministrat: Koka, Harito, Veliaj, Nikolla, Gjermeni, Panariti, Gjermeni, Ahmetaj dhe Çuçi janë ulur në pjesën e poshtme. Në pjesë e sipërme qëndronin 13 ministrat. Ata ishin ulur sipas radhës: Beqaj, Haxhinasto, Tahiri, Cani, Kodheli, Peleshi, Rama, Celibashi, Gjosha, Bushati, Kumbaro, Naço dhe Gjiknuri. Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim të tavolinës së ministrave apo ky do të jetë vendi i përhershëm i ministrave.

Podiumi - Ndryshimi i parë në këtë seancë ishte podiumi ku flisnin deputetët. Ai i mëparshmi, që ngjante si vazo e madhe, është ndryshuar duke dhënë diçka më estetike, me logon e gdhendur të stemës së Republikës së Shqipërisë

Stafi i Kryeministrit - Në lozhën ku rrinin gazetarët dhe të ftuarit është vënë re prania e stafit të Kryeministrit. Drejtoresha e kabinetit, këshilltarët, gjeneral Sandër Lleshi, Fate Velaj, Eralda Çani, si edhe e Erisa Spiropalit

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.