Rama: Heqje barres fiskale prej Taksës së sheshtë, dhe rishikim të çdo koncesioni

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka premtuar sot biznesit heqje të barrës së taksës së sheshtë dhe heqje të referencave aktuale në dogana, që sipas tij janë kthyer në mjet abuzimi.
Në një takim me biznesin, kryesocialisti Rama theksoi se pas 23 qershorit kur socialistët do të vijnë në pushtet do të ketë një marrëdhënie të re me sipërmarrjen.
“Një qeveri që e konsideron biznesin si një lopë për ta mjelë shkon tej interesave të vendit. Vetëm një qeveri që e konsideron biznesin partner dhe ka detyrime të përbashkëta dhe reciprocitetit, një qeveri e tillë mund të nxjerrë vendin nga kriza. Deri në fund të vitit 2013 ne do ulemi sërish dhe do diskutojmë mbi një parim që unë dua ta ndaj me ju, se atdheu është sfida jonë i përbashkët”, tha Rama.
“Ne kemi bërë të qartë se nuk e pranojnë sistemin aktual të taksimit. Për ne, taksa e sheshtë kështu siç është konvertuar përbën një parimësi që nuk përputhet me vizionin dhe vlerat tonë, ndërkohë që progresiviteti përbën një vlerë të pazëvendësueshme. Ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit duke e hequr barrën e taksës së sheshtë nga të ardhurat personale. Kush fiton më pak do paguajë më pak, kush fiton më shumë, do fitojë më shumë. Gjëja e parë në krye të punëve ku ne besojmë se do jemi pas 23 qershorit do të jetë çlirimi i biznesit nga gjithë këto zinxhirë, hallka, mekanizma mbytës që e kanë sjellë ekonominë shqiptare në këtë derexhe. Do të mbështesim sektorët prodhues, që nxisin punësimin, sektorët e eksplorimit të naftës, të bujqësisë etj. Pra që nxisin ciklet e plota të prodhimit”, vijoi Rama.
Rama ka theksuar se pas 23 qershorit, kryesorja që do të bëjë PS-ja kur të vijë në pushtet do të jetë rishikimi i të gjitha koncesioneve
“Do të zhbëjmë çdo koncesion që nuk është në përputhje me ligjin dhe pro, interesave kombëtare. Do të rishikojmë shitjen e HEC-eve për një copë bukë; do t’i heqim të gjitha referencat aktuale në dogana”, tha Rama.
Ai ka theksuar më tej se sipërmarrësit sot ndodhen nën presion si pasojë e taksave dhe e gjobave që i vendosen nga qeveria.
“4.876 subjekte janë gjobitur me gjoba marramendëse, që përbëjnë 350% të të ardhurave të bizneseve. 280 milionë dollarë është gjoba, që i rëndon bizneseve. Përtej gjobës, si fakt financiar, qëndron e gjithë barra e presionit psikologjik mbi bizneset. Vazhdon presioni, pa asnjë ndryshim pas ankesave të hapura publike të biznesit dhe mosreagimi i qeverisë është absolutisht i qëllimshëm në këndvështrimin tonë. Jo më pak se 150 milionë euro është shuma e mbledhur për shkak të vonesave në rimbursimin e TVSH-së, bizneseve. Ky është një shqetësim që shkon në rritje për perspektivën e sipërmarrjes, për çdo biznes që nuk është i lidhur me “oborrin e qeverisë”,” ka shtuar Rama.
TEMA
Add new comment