Rama: Do t’u kthejmë arsimtarëve lirinë e profesionit

Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një takim me një grup arsimtaresh.
“Unë kam qenë 10 vjet në Greqi. Mezi prisja të kthehesha në vendin tim dhe ta përjetoja edhe unë 7 marsin si arsimtare aktive, por për fat të keq kam mbi 8 vjet që qëndroj pranë dyerve të drejtorisë arsimore dhe aktualisht jam e papunë. Rikthehemi në atdhe me të gjithë rregullat që kërkon një institucion, duke paraqitur dokumentet, e duke zbatuar të gjitha rregullat që ka një institucion për arsimin dhe për fat të keq ka 8 vjet që ato dyer janë mbyllur për shumicën nga mësuesit që nuk i përkasin partisë në pushtet”, është shprehur njëra prej arsimtareve në takim.
Të pyetura nga kreu i PS lidhur me trajtimin financiar dhe se sa u mundëson paga, që ato dhe familjet e tyre kanë të kenë një jetë sa më të mirë, njëra prej pjesëmarrëseve në takim, arsimtare në një prej gjimnazeve të kryeqytetit i është përgjigjur: “Rroga, vërtet me bordero mund të shkojë deri në 590 mijë për shkollat e mesme, por ajo që ne marrim në dorë, pasi mbahen sigurimet, i bie tek 460 mijë lekë. Por po të hysh në llogari, rroga jonë është shumë më pak sesa ajo e 8 viteve më parë. Pse?! Shiko tregun, shiko sa konsumojmë, sa ditë të muajit nxjerrim me atë rrogë. Sa ditë, se muajin s’e nxjerrim kurrë. Rroga është gjysmuar, jo shumëfishuar. Unë marr 460. Sa ditë të muajit nxjerr unë si mësuese, në një familje me 4 persona nga kjo rrogë. Nëse bëhet llogaritja, as 15 ditë. Merrni rrogën, merrni çmimet, edhe të gjitha detyrimet tona që mund të kemi. Jo të mendosh për një jetesë luksi, por për një jetesë mesatare dhe nën mesatare. A e nxjerrim 15-ditëshin?! Jo!. Është një përllogaritje e thjeshtë po të ulesh me laps në dorë dhe të nxjerrësh sa harxhon në ditë, sa janë çmimet, sa është buka… Se për bukën të thotë 800 lekë, po nga 1 kile është bërë 500 gram”.
Ndërsa një tjetër mësuese e kulturës fizike ka shtruar problemin e pakësimit të orëve të kësaj lënde në shkolla, çka sipas saj krijon vështirësi të mëdha jo vetëm për mësuesit, por edhe për nxënësit dhe shëndetin e tyre.
Kreu i Partisë Socialiste nga ana e tij, pasi u ka uruar festën arsimtareve, i ka njohur ato me angazhimet konkrete të programit për një Rilindje Shqiptare.
“Dhe gjëja e parë që ne duhet të bëjmë dhe që do të bëjmë është që t’ia kthejmë lirinë e profesionit mësuesit. Të ndërtojmë një proces të rekrutimit të mësuesve që të jetë i koordinuar me prindërit. Nuk mundet dot të garantojmë cilësi në qoftë se prindërit janë jashtë vendimmarrjes dhe në qoftë se mësuesit e fëmijëve i imponon partia në pushtet për arsye tërësisht të vetat po që s’kanë të bëjnë me arsyet e zhvillimit dhe me arsyet pse fëmijët shkojnë në shkollë. Të garantojmë një sistem ku mes prindit dhe shkollës të vendoset një komunikim konstant. Çdo familje dhe çdo prind të marri në mënyrë sistematike informacion për fëmijën me shkrim, të përmuajshëm apo të përdymuajshëm kjo është një çështje që duhet diskutuar, por me shkrim dhe të afrojmë shkollën me komunitetin duke e bërë shkollën jo vetëm vendin ku shkohet për të marrë mësim, por dhe vendin ku zhvillohen aktivitet sportiv, aktivitet sportiv, aktivitet social, aktivitet kulturor në mënyrë që të fillojë të rilindi realisht shkolla dhe të rilindi realisht mësuesit si autoritet në shoqëri. Këtu autoriteti mësuesit ka rënë përtokë, autoriteti i mjekut ka rënë përtokë, autoriteti policit ka rënë përtokë. Pa këto tre figura s’ka shtet, s’ka as komunitet,” tha Rama.
“Pa dyshim vijmë tek çështja e rrogave dhe e fuqisë blerëse. Rrogat nominalisht janë rritur, por fuqia blerëse ka rënë. Ka rënë për shkak të çmimeve shumë të larta që janë të lidhura pastaj me një histori tjetër që sigurisht është derivat i zhvillimit të munguar. I zhvillimit të munguar në radhë të parë si zhvillim i brendshëm për të garantuar ushqimin e njerëzve me një kosto të arsyeshme dhe në këtë aspekt ne jemi shumë të qartë se çfarë duam të bëjmë dhe jemi shumë të angazhuar për ta bërë pavarësisht se do jetë dhe jo e lehtë. Ndërkohë që duhet të ulim urgjentisht taksat për mësuesit. Sot juve e thatë vetë që rroga është rritur nominalisht, por fuqia blerëse është përgjysmuar, ndërkohë që taksat për mësuesit janë rritur me herë në krahasim me vitin 2007, përpara se të vihej taksa e sheshtë. Taksa e sheshtë ka qenë një goditje që ja ka marrë frymën gjithë shtresës së mesme dhe prandaj ne sot shtresën e mesme ku hynë sigurisht mësuesit e kemi shumë dobët. Ne duhet t’i ulim taksat për mësuesit me patjetër dhe sipas llogarisë që ne bëjmë nga programi jonë i uljes së taksave mësuesit do të fitojnë një rrogë më shumë,” vijoi Rama.
TEMA
Add new comment