Qosja: Vetëm naivët mund të besojnë për zgjedhje të ndershme me Berishën më 23 qershor

Postuar në 07 Shkurt, 2013 08:23

 

Akademiku Rexhep qosja shprehet se është naivitet të besohet se Sali Berisha do të bëjë zgjedhje të ndershme më 23 qershor. Sipas tij, BE dhe SHBA e kanë kuptuar këtë gjë dhe kanë nisur shumë herët që të bëjnë presion ndaj tij, për të mos prekur zgjedhjet.

Në Shqipëri, deri në këtë ditë kur po i përgjigjem kësaj pyetjeje tuaj, nuk kemi pasur zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet të jesh naiv e të besosh se do të kemi më 23 qershor të këtij viti. Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t’i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme një qeveri që e kryeministron, siç e quajnë në Shqipëri, stalinisti i fundit në Evropë? Jo, ky njeri që e ka ndryshuar vetëm retorikën politike, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? Jo, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme qeveria e kryeministruar prej këtij stalinisti, e cila aq hapur, aq pafytyrësisht i vodhi e stërvodhi votat e qytetarëve të Tiranës për ta bërë kryetar të saj njërin prej nënbishtërinjve të tij.

Edhe SHBA-të, edhe Bashkimi Evropian herët kanë filluar të ushtrojnë trysni në këtë qeveri që të mos bëjë çka ka bërë në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet e Tiranës. Bashkimi Evropian, madje, edhe mundësinë që Shqipëria të fitojë të drejtën e bisedimeve për kandidate e ardhshme e tij, e BE-së, po e kushtëzon me lirinë dhe ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve. Kot. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar shumëkund shumëherë se në politikën e vendeve të demokracisë së çoroditur i kritikojnë butë, gati sa i falin, të gjitha dallaveret, të gjitha vjedhjet e ndorimet e tjera përpos grushtshteteve.

Unë kam drojë që Sali Berisha, në qoftë se sheh se po i humb zgjedhjet – e të gjitha të dhënat që pranon mendja e shëndoshë tregojnë se do t’i humbë – mund t’i sjellë farë tragjedie të re Shqipërisë! Agresiviteti që tashmë po e shpreh tregon për rrezikun që ai përfaqëson në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Qosja për “GSH”.

Ai ka kërkuar nga opozita që të jetë shumë e kujdesshme dhe të përdorë çdo mjet për mbrojtjen e votës, duke nisur nga protestat dhe demonstratat.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.