Qeveria zgjedh Deloitte&Touche për auditimin e borxhit

Postuar në 10 Tetor, 2013 05:03

Kompania ka afat deri më 30 nëntor dhe do të paguhet 85 mijë euro

 

Kompania - Deloitte&Touche është kompani e njohur për publikun shqiptar, pasi ajo ka qenë kompania e kontraktuar nga qeveria Nano në vitin 1997 për të kryer auditimin e financave të firmave piramidale.

 

Synimi - Qeveria kërkon të bëjë një auditim nga kompani të mëdha të auditimit dhe që shpresojnë të sjellë pasqyrën reale të ekonomisë sonë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe me atë private

Borxhi publik - Borxhi publik i pritshëm në fundvitin e 2013-s nuk do të jetë 64%, sa u premtua nga qeveria e mëparshme, por mbi 67%, pa përfshirë borxhin e fshehtë. Nëse përfshihet në llogaritje edhe një pjesë e borxhit të fshehtë (pjesa e detyrimeve ndaj biznesit, i vlerësuar paraprakisht, së bashku me FMN-në, në afro 55-60 miliardë lekë), atëherë borxhi publik arrin në fundin e 2013-s jo më pak se 71%

 

Herion Mesi

Plani i qeverisë Rama për auditimin ndërkombëtar të financave të vendit është bërë fakt i kryer tashmë, pasi qeveria ka zyrtarizuar nisjen e procedurave për auditimin e borxhit publik. Me anë të një projektligji të zbardhur dje nga Top Channel, mësohet se qeveria ka përzgjedhur kompaninë ndërkombëtare Deloitte&Touche, së cilës do t’i besohet detyra e skanimit të të gjitha financave publike. Sipas, marrëveshjes, kompania Deloitte&Touche do të paguhet 85 mijë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për këtë shërbim, i cili nuk është i pari që i besohet kësaj kompanie. Kjo, pasi Deloitte&Touche është kompania e kontraktuar më parë nga qeveria tjetër socialiste Nano, në vitin 1997, së cilës iu ngarkua detyra e auditimit të financave të firmave piramidale.

Projektligji

Në draftin e qeverisë, që pritet të votohet së shpejti në Kuvend, është përcaktuar se kompania ndërkombëtare Deloitte&Touche do të dorëzojë raportin final të auditimit dhe shifrën reale të borxhit publik brenda datës 30 nëntor. Në relacionin që shoqëron projektligjin, Ministria e Financave pranon se nënshkrimi i një marrëveshje të tillë urgjente nuk bëhet i mundur nga ligjet në fuqi, prandaj ajo ka përzgjedhur një procedurë ligjore unike të paparashikuar nga legjislacioni shqiptar. Sipas qeverisë, ky vendim diktohet nga situata e rëndë ekonomike në të cilën gjendet Shqipëria dhe nevoja urgjente për të evidentuar në mënyrë të saktë borxhin që shteti shqiptar ka ndaj biznesit vendas dhe atij të huaj.

Doganat e Tatimet

Një tjetër angazhim i qeverisë së re është të çlirojë tatimpaguesit e mëdhenj nga kontrolli tatimor dhe realizimin e vetëkontrollit të tyre përmes këtij auditi dhe për këtë ajo ka vendosur të ngrejë një grup pune edhe për shërbimin e asistencës në fushën e doganave dhe tatimeve. Por, pavarësisht faktit se në vend ka disa struktura auditimi, duke nisur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, qeveria e re thekson se ato nuk kanë kapacitetet dhe eksperiencën e duhur profesionale për të realizuar një proces të tillë. Ndërkohë, socialistët besojnë se të huajt do të jenë më të paanshëm në këtë proces. Dhe për të realizuar këtë proces, në Ministrinë e Financave dhe qeverinë shqiptare ka shprehur interes që të asistojë kompania tjetër Croën Agent. Gjithashtu, edhe kjo kompani është pajtuar më parë nga qeveria e mëparshme Berisha për procese të ndryshme arbitrazhi. Ndërkohë, burime nga Financat theksuan se po hartohen dhe kontratat me kompanitë që do të ngarkohen nga shteti shqiptar, ku do të përcaktohen dhe kriteret e pagesës së këtyre kompanive dhe kostot reale të këtij projekti, që Kryeministri Rama e konsideron tepër të domosdoshëm për financat e shtetit shqiptar në të ardhmen.

Debati për borxhin

Por përtej çështjeve juridike që lidhen me procedurën, raporti final që kompania Deloitte&Touchedo të bëjë mbi shifrën reale të borxhit, pritet ta nxehë edhe më tej debatin mes qeverisë dhe opozitës. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe mazhoranca aktuale, pretendojnë se borxhi i vendit e ka kaluar nivelin 70 për qind të Prodhimit Kombëtar. Por demokratët, që deri para pak javësh ishin në qeveri, pretendojnë se kjo është e pavërtetë dhe se qeveria po përpiqet të komplotojë me financat publike për t’i krijuar vetes hapësira që të rrisë borxhin.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.