Qeveria transferon KQZ-në,e zhvendos te godina e ish-Ministrisë së Mbrojtjes.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është vendosur edhe transferimi i zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ambientet pranë Pallatit të Kongreseve tek ambientet e ish-Ministrisë së Mbrojtjes.
Ambientet e reja do të jenë në qendër të qytetit përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, duke bërë që ky institucion i rëndësishëm të mos jetë më në ambientet e pasme të Pallatit të Kongreseve.
Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave për zhvendosjen e KQZ-së
Vendim për një ndryshim në vendimin nr.965, datë 25.10.2013, të këshillit të ministrave, “për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga ministria e mbrojtjes te ministria e financave dhe ministria e zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe sipërmarrjes, të pronës me nr.37, me emërtimin “ministria e mbrojtjes”, me vendndodhje në bulevardin “dëshmorët e kombit”, tiranë, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të këshillit të ministrave, “për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi ministrisë së mbrojtjes”, të ndryshuar”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.965, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, të shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1) Nga sipërfaqja e përgjithshme, kaluar në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, objekti me sipërfaqe 673 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre) m2, pjesë e pronës me nr.37, me vendndodhje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, të kalojë në përgjegjësi administrimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur si mjedise pune nga ky institucion.”.
2. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTR I
EDI RAMA
Add new comment