Qeveria, aleatët: S’kemi kontakte me PS

Mbetet ende e hapur përfshirja e partive të koalicionit në qeverinë e re të së majtës. Ja postet vakante.
Rama: Zv.ministrat janë emëruar mbi bazën e CV-ve që ofrojnë. Qeveria, aleatët: S’kemi kontakte me PS
0
1
Flash, Lajmi i Fundit, Politikee Mërkurë, 9 Tetor, 2013 | 09:08 am
Rama me aleatet e PS para zgjedhjeve
Mbetet ende e hapur përfshirja e partive të koalicionit në qeverinë e re të së majtës. Ja postet vakante.
Rama: Zv.ministrat janë emëruar mbi bazën e CV-ve që ofrojnë.
Marrëveshja parazgjedhore e PS me aleatët e saj në koalicion mbetet ende e pazbatuar. I kontaktuar në telefon, koordinatori për zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore, Gjet Ndoj, tha se ende nuk ka asnjë takim të tij me Kryeministrin Rama për të paraqitur kërkesat e aleatëve, ndërsa u shpreh i sigurt se brenda kësaj jave do të plotësohen edhe vendet e lëna vakante. Postet ministrore Partia Socialiste i ka ndarë vetëm me LSI-në, ndërsa e ka shtrirë bashkëpunimin me partitë e tjera në nivelet e dyta të Ekzekutivit, atë të zv.ministrave.
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka marrë 3 zv.ministra dhe zv.kryetarin e Kuvendit, të përfaqësuar nga kryetari i saj, Vangjel Dule. PBDNJ kishte marrë një mandat deputeti dhe sipas marrëveshjes, kjo parti duhej përfaqësuar në nivel qendror të pushtetit. Edhe partia tjetër aleate, G99, është përfaqësuar me një post zv.ministri në qeverinë e re, me kryetarin e saj Ervin Mete si zv.ministër i Financave. Por numri i votave të marra gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit, 2977, nuk i jepte hapësira kësaj partie sipas marrëveshjes parazgjedhore, të përfaqësohej në nivel qendror. Parti tradicionale të majta, si PDS e Paskal Milos dhe PSD e Skënder Gjinushit, deri tani nuk kanë asnjë përfaqësim në nivel qendror ekzekutiv, por as drejtorësh të rëndësishëm. Milo ka marrë 12 mijë vota, ndërsa Gjinushi rreth 11 mijë vota.
RAMA
I pyetur rreth përfaqësimit të G99-s në post zv.ministri, Kryeministri Rama tha se është përzgjedhur mbi bazë CV, dhe jo përkatësie partiake. “G99 nuk ka asnjë zv.ministër pse quhet G99, siç janë dhe të gjithë zv.ministrat e tjerë që janë emëruar mbi bazën e asaj që ofrojnë në raport me programin tonë. Pasi të shikoni edhe CV e zv.ministrit që përmendët, do të bindeni se është njeriu që na duhet në atë pozicion dhe se nuk është aty për shkak të një partie. Ne i kemi kërkuar që të vërë shërbimin e tij në dispozicion të një projekti që është projekti i rimëkëmbjes së financave publike të vendit”, tha Rama gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar dje pasdite në ambientet e Kryeministrisë.
Në Ministrinë e Drejtësisë ende nuk janë emëruar zv.ministrat. Ndërkaq, mbeten ende për t’u plotësuar disa poste zv.ministrash dhe dy prefektë. Janë pesë ministri, si zv.ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, zv.ministri i Mbrojtjes, zv.ministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, zv.ministër i Kulturës dhe zv.ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit që pritet të plotësohen edhe me një zv.ministër tjetër, pasi në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave emëroi vetëm një.
VENDE VAKANTE
Zv.ministrat e Drejtësisë
Zv.ministri i Transportit dhe Infrastrukturës
Zv.ministri i Mbrojtjes
Zv.ministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Zv.ministër i Kulturës
Zv.ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit
PREFEKTËT
Vlora
Lezha
Panorama
Add new comment