Qasja e Serbisë ndaj Kosovës, si para statusit

Prishtinë, 10 janar – Qeveria e Serbisë do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në Bruksel, duke e ruajtur qasjen që shteti fqinj ka pasur në vitin 2007, kur dialogohej për statusin e Kosovës. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, dhe Qeveria e Serbisë kanë harmonizuar një projektrezolutë që pritet të miratohet në Parlamentin e shtetit fqinj, ku kanë ritheksuar se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës dhe kanë përsëritur se Qeveria e Serbisë do të negociojë në Bruksel me “përfaqësuesit e Prishtinës”, siç i janë referuar ata Qeverisë së Kosovës, mbi parimet e platformës politike për bisedimet, të publikuar javë më parë.
“Koha Ditore” ka siguruar një kopje të projektrezolutës që pritet që të premten të aprovohet në Parlamentin serb, me të cilën shteti fqinj udhëzon Qeverinë e Beogradit për këto bisedime mbi bazën e Kushtetutës së Serbisë, dhe të gjitha rezolutave e dokumenteve të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën, e që Serbia i ka prodhuar që nga viti 2007. Në këtë mënyrë shteti serb ka mbajtur frymën e njëjtë të qasjes në bisedime me Kosovën që e ka pasur para nisjes së dialogut për statusin e Kosovës në vitin 2007, duke injoruar Pakon e Ahtisaarit, shpalljen e pavarësisë së Kosovës, njohjet e kësaj pavarësie, si dhe opinionin e GJND-së, që pati konstatuar se shpallja e pavarësisë ka qenë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.
KOHA DITORE

Add new comment