PS: Probleme me listat, gjysmë milionë shqiptarë pa adresë të saktë zgjedhore

Postuar në 07 Mars, 2013 14:31

 

Partia Socialiste akuzoi sot Ministrinë e Brendshme për mungesë transparence në përgatitjen e listave të zgjedhësve duke e parë këtë si një fenomen që rrezikon procesin zgjedhor. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, në një dalje publike për mediat denoncoi se gjysmë milionë zgjedhës nuk kanë dijeni për qendrën ku do të votojnë.

“Numri i zgjedhësve pa adresë të saktë zgjedhore është afërsisht gjysmë milioni, siç e pohoi vetë zoti Poni, duke shkelur haptazi një rekomandim të rëndësishëm të ODIHR pas zgjedhjeve të vitit 2011, që u kërkon autoriteteve shqiptare të rrisin transparencën dhe saktësinë e listave të zgjedhësve si dhe i kërkon Ministrisë së Brendshme specifikisht që duhet të shtojë përpjekjet për të siguruar që të gjithë zgjedhësit në listat e zgjedhësve të kenë një kod të saktë adrese. Realiteti që paraqiti vetë zoti Poni, fakton dështimin e këtij standardi”,-tha Gjiknuri.

Në përgjigje të zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, sekretari socialist u shpreh se nuk ka një proces të pastrimit të listave për rreth 65 mijë dublikime të dyshuara si të tilla.

“Ministria ka detyrimin sipas udhëzimit 370 të dhjetorit të vitit të kaluar të kryejë procedurën e krahasimit të këtyre të dhënave me të dhënat bazë të kartave të identitetit të shtetasve shqiptarë dhe më pas të kryejë verifikimin në terren. Asnjë e dhënë nuk është bërë transparente në këtë drejtim. Verifikimi dhe pastrimi i këtyre të dhënave ka të bëjë direkt me klimën zgjedhore dhe është një nga detyrimet parësore dhe një nga angazhimet e marra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e listës zgjedhore”,-theksoi Gjiknuri. Ai u shpreh më tej se në procesin e deritanishëm të pastrimit të listave të zgjedhësve nuk duket se ka një vullnet të mirë nga ana e mazhorancës për të plotësuar standardet e premtuara për zgjedhje të lira. “Refuzimi i transparencës dhe mos reagimi në lidhje me të metat serioze të bëra prezent edhe në këtë deklaratë, hedhin hije të forta dyshimi mbi vullnetin e qeverisë për të zbatuar ligjin dhe angazhimet politike të marra përsipër.

Çdo vonesë në dhënien e informacionit dhe çdo mosveprim i mëtejshëm nga Ministria e Brendshme, fakton përfundimisht që kjo mazhorancë nuk e ka vullnetin për të plotësuar standardet ne fushën e përgatitjes së listave të zgjedhësve. Partia Socialiste siguron shqiptarët se pavarësisht cënimit të këtyre standardeve kësaj radhe s’ka manovër ilegale që të tjetërsojë vullnetin popullor në 23 qershor”, përfundoi ai.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.