PS: Kryeministri është kapur pas rastit të Barjabës, si i mbyturi pas fijes së barit

Postuar në 05 Janar, 2013 10:53

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të selisë blu se Edi Rama duhet të bëj publike lidhjet që ka me Kosta Barjabën, duke u shprehur se i vetmi shteg që i ka mbetur kryeministrit në ikje është të përbaltë sa të mundet opozitën me shpifje e akuza të përditshme.

“Ekonomia rrënohet, kryeministri qëllon me baltë opozitën. Plagët sociale rëndohen, kryeministri qëllon me baltë opozitën. Korrupsioni shqyen përditë Shqipërinë, kryeministri përsëri qëllon me baltë opozitën. Provat dhe faktet e përditshme që opozita po publikon, duke filluar nga vetë të ardhurat marramendëse të familjes së kryeministrit, e kanë bërë edhe më të dëshpëruar reagimin e tij. Së fundi kryeministri është kapur pas rastit të Kosta Barjabës si i mbyturi pas fijes së barit. Njerëzit e dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga selia rozë.

Për Partinë Socialiste rasti i Kosta Barjabës shërben për të nënvizuar edhe njëherë ndryshimin e madh mes dy forcave më të mëdha politike në Shqipëri. “PS në opozitë, ka reaguar menjëherë ndaj lajmit për gjestin e papranueshëm të cenimit nga ana e Kosta Barjabës të një pasurie private prej 238 dollarësh, duke deklaruar ndërprerjen e bashkëpunimit me të. Ndërsa PD në pushtet, është bërë streha mbrojtëse e një ujqërie politike që mban përgjegjësi për cenimin e një pasurie kombëtare e publike në rendin e miliarda eurove. Dhe vetë kryeministri që nuk provon dot para publikut as pastërtinë e burimeve të fitimit vjetor përrallor të familjes së tij, është bërë si hajduti biblik Baraba në krye të qeverisë”, theksohet në deklaratën e PS.

Gjithsesi për Partinë Socialiste fundi i kryeministrit në ikje është tashmë i pashmangshëm. “Më kot Barabai kryeministër ëndërron të shpëtojë përmes kryqëzimit të opozitës, duke munduar ta qorrojë popullin me baltën e shpifjeve e të akuzave ndaj nesh. Më 23 qershor shqiptarët do ta ndëshkojnë masivisht me votë Partinë e Barabait kryeministër dhe do të hapin rrugën e një Rilindjeje Shqiptare me Edi Ramën e Partinë Socialiste”, përfundon deklarata e PS-së.

5 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.