PS-ja kërkon nga Kolegji të shpallë të pavlefshëm rinumërimin

Juristët e PS-së theksojnë në kërkesë, se përderisa mbledhja e KQZ-së bëhet vetëm me 4 anëtarë të saj, atëherë produkti i kësaj mbledhjeje është i pavlefshëm dhe pasojat e tij janë “nul”
Baza ligjore
Për hartimin e kërkesës së tyre, socialistët kanë cituar si bazë ligjore tetë nene të Kodit Zgjedhor dhe përkatësisht nenet 22, 24, 145, 152, 153, 155, 156 dhe 158
Sqarimi
Në kërkesën e saj, PS-ja sqaron se kërkesa që i bëjnë Kolegjit për rrëzimin e një vendimmarrjeje të KQZ-së në emër të PD-së vjen se të dyja partitë kundërshtojnë të njëjtin vendim të KQZ-së
Argumentimi juridik i ankimimit. Të hënën pritet vendimi nga gjykata
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste depozitoi pasditen e djeshme në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë-padi, e cila kërkon anulimin e vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Qarkun e Lezhës dhe po kështu ndërprerjen e procedurave të hetimit administrativ që KQZ-ja po bën aktualisht me qarqet Lezhë dhe Shkodër. Kërkesa u dorëzua dje në Kolegj nga ana e përfaqësuesit të PS-së në KQZ, Eridian Salianji, dhe mban firmën e nënsekretarit për çështjet zgjedhore në PS, Koli Bele. Ekspertët e PS-së theksuan se Kolegji duhet të shqyrtojë ditën e hënë këtë çështje dhe të marrë një vendim.
Kërkesa që ka si subjekt të paditur KQZ-në është e përbërë nga tri pika, për të cilat jepet dhe argumentimi ligjor. PS-ja është detyruar të ndërmarrë një veprim të tillë në kushtet kur aktualisht KQZ-ja ka nisur procedurat e rinumërimit për kutitë e dy qarqeve. Kolegji pritet ta marrë në shqyrtim në ditët në vijim këtë kërkesë dhe vendimi i tij do të zhbënte të gjitha vendimet e KQZ-së me katër anëtarë për këto qarqe, duke e shpallur rezultatin sipas tabelave të hartuara nga Komisionet Zonale Zgjedhore.
Kërkesat
PS-ja, në padinë e saj drejtuar Kolegjit Zgjedhor, kërkon që anëtarët e kësaj gjykate të konstatojnë si të pavlefshëm dy vendime të KQZ-së për Qarkun e Lezhës. “Kërkojmë konstatim të pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së Nr.774, datë 15.07.2013 ‘Për pranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.41, datë 15.7.2013 të subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë’. Konstatim i pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së Nr.739, datë 15.07.2013 ‘Për pranimin për shqyrtim të kërkesës, ankimore 40, datë 15.7.2013 të subjektit zgjedhor Partia Demokratike e Shqipërisë’”, theksohet në kërkesë-padinë e socialistëve. Për pasojë të këtyre vendimeve, PS-ja kërkon dhe ndërprerjen dhe konstatimin si të pavlefshëm të procesit të rinumërimit të KQZ-së për Qarkun e Lezhës dhe atë të Shkodrës. “Kërkojmë konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të procesit të hetimit administrativ që lidhet me shqyrtimin në thelb të kërkesave ankimore të mësipërme, me pasojë ndërprerjen e të gjitha veprimeve që po kryen KQZ-ja”, theksohet në kërkesën që mbërriti pasditen e djeshme në Kolegjin Zgjedhor.
Argumentimi
Ekspertët ligjorë të PS-së argumentojnë në kërkesën e tyre se KQZ-ja ka pranuar kërkesat e palëve duke nisur një shqyrtim gjyqësor, me vetëm katër anëtarë të saj në përbërje. “Referuar nenit 23, pika 5 e Kodit Zgjedhor, mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se 4 anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit, sipas nenit 24 të këtij Kodi”, theksohet në kërkesë, duke se shtuar se kërkesa e PS-së ka të bëjë pikërisht me kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për nxjerrje rezultati të vendimit në zonë zgjedhore dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në disa qendra të përcaktuara votimi në Lezhë. Nisur nga këto argumente, PS-ja i kërkon Kolegjit të konstatojë pavlefshmërinë e vendimeve objekt ankimi dhe të urdhërojë ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme të KQZ-së për shqyrtimin e kësaj çështjeje si hapje kutish votimi, rinumërim e rivlerësim të fletëve të votimit, si dhe marrjen dhe administrimin e provave.
Pikat
PS-ja ngre kërkesë-padinë e saj ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në tri pika
Afati
Kolegji Zgjedhor duhet ta shqyrtojë këtë ankimim të PS-së gjatë ditës së hënë paradite
Efekti
Pranimi i kësaj kërkese të PS-së do të bënte që i gjithë procesi i rinumërimit të rrëzohej
Problematika
Zgjedhjet në Qarkun e Lezhës kanë qenë më të kontestuarat. Ato nisën me një ngjarje tragjike
Reagimet
Celibashi nga PS dhe Luan Rama nga LSI sulmojnë ashpër rinumërimin e dy qarqeve
Mazhoranca: Vendimet e KQZ-së, keqpërdorim nga PD
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim e konsideruan dje vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të rinumëruar votat e qarqeve të Lezhës dhe të Shkodrës si të jashtëligjshëm dhe madje jo të bazuar në logjikë. Deputeti i zgjedhur i PS-së, ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, përmes një deklarate për shtyp, theksoi dje se katër anëtarët e KQZ-së nuk mundën as formalisht të paraqisnin një shkak, apo edhe një pretekst ligjor për këtë vendimmarrje. “Kjo vendimmarrje e KQZ-së është në kundërshtim të plotë jo vetëm me ligjin, por edhe me qëndrimet e fundit që ky institucion ka mbajtur në lidhje me kërkesa të tilla të ngjashme, për më tepër kur këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në indicie dhe prova”, theksoi Celibashi. Por, sipas tij, anëtarët e KQZ-së po i ndërmarrin këto veprime si rrjedhojë e presionit politik të pakicës në largim. Celibashi theksoi gjithashtu se kjo situatë gjithsesi nuk do ta ndryshojë rezultatin e marrë nga e majta në këto qarqe, por tregon komprometimin total të anëtarëve të KQZ-së. Në të njëjtën linjë ishin dje edhe përfaqësuesit e LSI-së. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, theksoi se vendimi i gjysmë-KQZ-së është një dëshmi e keqpërdorimit të saj si një instrument i verbër politik dhe theksoi se nuk përjashtohet mundësia e një plani për komprometimin e rezultatit. “Vendimi i gjysmë-Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që mesa duket dhe mesa po shfaqet nuk është gjysmak vetëm për nga numri i përbërjes, është dëshmi e keqpërdorimit të kësaj gjysmë-KQZ-je si një instrument i verbër politik, me synim zvarritjen, kontaminimin dhe ndoshta mundësisht edhe komprometimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe të cilësisë së procesit zgjedhor”, theksoi Rama. Nga ana tjetër, ai shtoi se KQZ-ja po vepron me standarde të dyfishta, duke kujtuar se kërkesa e LSI-së për të rinumëruar 15 kuti të Qarkut të Kukësit, nuk ishte pranuar nga ky institucion. “Kemi rastin e qëndrimit ndaj kërkesës legjitime dhe të argumentuar që bëri Lëvizja Socialiste për Integrim për rinumërim të votave në 15 kuti apo në 15 qendra votimi të Qarkut të Kukësit. Kërkesë që nuk u pranua nga kjo gjysmë-KQZ, ndërkohë që për rastin e Lezhës, apo të Qarkut të Lezhës, aplikon një standard të ndryshëm”, theksoi Luan Rama.
Shqip
Add new comment