PS e LSI: KQZ nën presionin e PD-së, do mbajnë përgjegjësi nëse përpiqen të deformojnë rezultatin

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë thënë se KQZ është shtyrë nga presioni politik i PD-së, për të ndërmarrë veprimin për hapjen e kutive në Qarkun e Lezhës dhe Shkodrës.
“Edhe pse edhe nxitësit e kësaj iniciative ashtu sikurse edhe Partia Socialiste e kanë të qartë se në fund të fundit asgjë nuk do të ndryshojë në kuptimin e rezultatit zgjedhor, Partia Socialiste e denoncon këtë akt të papërgjegjshëm të KQZ dhe të nxitësve politikë të tij. E vetmja pasojë që do të vijë nga kjo që po ndodh është komprometimi akoma edhe më shumë i vlerave profesionale të 4 anëtarëve të mbetur të KQZ-së, si edhe komprometimi i vullnetit të qeverisë në largim për të bërë një rotacion qeverisës të denjë për një vend europian. Është e qartë për të gjithë se çfarë po ndodh aktualisht në KQZ është rrjedhojë e presionit politik të pakicës në largim”, tha për PS-në në një konferencë shtyp, deputeti Ilirjan Celibashi.
Celibashi tha se KQZ me 4 anëtarë nuk ka pretekst ligjor për marrjen e një veprimi të tillë.
“Sjellja e kësaj shumice në largim është tërësisht në kundërshtim me të gjitha qëndrimet dhe deklarimet që ajo ka bërë në të shkuarën në lidhje me kërkesa të tilla edhe pse këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në prova dhe fakte. Kjo vendimmarrje e KQZ është në kundërshtim të plotë jo vetëm me ligjin, por edhe me qëndrimet e fundit që ky institucion ka mbajtur në lidhje me kërkesa të tilla të ngjashme, për më tepër kur këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në indicie dhe prova”, përfundoi Celbashi.
Ndërsa Luan Rama i LSI-së tha se kjo KQZ po vepron me dy standarde, pasi kërkesën e saj për hapjen e kutive të Kukësit e hodhi poshtë, ndërkohë që vendosi të hapë kutitë e Lezhës, pa ja kërkuar njeri.
“Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj edhe një fakt tjetër që dëshmon se kjo gjysmë-KQZ po aplikon, në kundërshtim me ligjin, dy standarde. Kemi rastin e qëndrimit ndaj kërkesës legjitime dhe të argumentuar që bëri Lëvizja Socialiste për Integrim për rinumërim të votave në 15 kuti apo në 15 qendra votimit të Qarkut të Kukësit. Kërkesë që nuk u pranua nga kjo gjysmë-KQZ, ndërkohë që për rastin e Lezhës, apo të Qarkut të Lezhës, aplikon një standard të ndryshëm, një standard tjetër edhe pse nuk kërkoi njeri rinumërimin e qendrave të votimit në të gjitha KZAZ-të e kësaj zone zgjedhore, ashtu siç veproi edhe me Qarkun e Shkodrës,” tha Luan Rama.
“Natyrisht edhe kjo sjellje më e fundit e kësaj gjysmë-KQZ-je është reflektim i nervozizmit dhe shenjë e dëshpërimit për humbjen dhe rezultatin katastrofik që qytetarët shqiptarë i dhanë Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Më lejoni të bëj të qartë dhe të ditur, që jo vetëm kjo gjysmë-KQZ, por askush nuk do të mund të komprometojë dhe të tjetërsojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, që është jo vetëm i qartë dhe i pastër, por është bindës për vullnetin politik dhe qytetar të mazhorancës së shqiptarëve, që votuan të jetë mazhorancë koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, vijoi ai, duke thënë më tej se kushdo që përpiqet të deformojë rezultatin e 23 qershorit, do të mbajë përgjegjësi.
“Qëndrimi i LSI-së është i qartë dhe i prerë që, cilido individ apo trupë zgjedhore, në të gjitha nivelet e hierarkisë zgjedhore, referuar Kodit Zgjedhor që ka cenuar, deformuar apo kontaminuar procesin zgjedhor, duhet dhe do të përgjigjet ligjërisht”, përfundoi Rama./b.l
Tema
Add new comment