PS, 3 grupe pune për investimet e huaja

Propozimi i Kryeministrit Rama për gjetjen e sipërmarrësve të huaj nga deputetët socialistë. “Panorama” shkruan sot se Gaçi zgjidhet për Italinë, Shalsi për Greqinë dhe Klosi për Turqinë.
Në Partinë Socialiste deputetët janë ngritur tri grupe pune për thithjen e investimeve të huaja. “Panorama” shkruan sot se përveç marrëveshjeve të qeverisë shqiptare me qeveritë e huaja, edhe deputetët do të organizohen që kontaktojnë dhe të sjellin në Shqipëri biznesmenë dhe kompani të huaja që kanë interes të investojnë në ekonominë shqiptare. Sipërmarrësit do të vijnë nga vendet me të cilat Shqipëria ka një partneritet strategjik, siç janë Italia, Greqia dhe Turqia.
Për këtë qëllim janë vendosur dhe drejtuesit e këtyre grupeve të punës. Grupin e deputetëve që do të kontaktojnë me sipërmarrës në Itali do ta drejtojë deputeti i Tiranës, Artan Gaçi, atë të deputetëve që do të kontaktojnë me biznesin grek do ta drejtojë Eduard Shalsi, ndërsa grupin e deputetëve që do të udhëtojnë drejt Turqisë për të vendosur kontakte me sipërmarrjen turke do ta drejtojë Blendi Klosi. Të organizuar në grupe, deputetët do të udhëtojnë në këto vende për të vendosur kontakte me bizneset e huaja për investime në zonat e tyre. Kontaktet do të vendosen përmes të gjitha burimeve, emigrantëve, por dhe ambasadave tona në këto vende.
Është kërkuar që deputetët të jenë të përgatitur me projektet e mundshme që mund të zhvillohen në zonat e tyre, bazuar në burimet natyrore apo fuqinë punëtore të lirë dhe të kualifikuar. Ky angazhim ishte një nga kërkesat që kryetari i PS-së, njëkohësisht Kryeministri i vendit, Edi Rama, u ka caktuar deputetëve. Përveç kontakteve që ata duhet të vendosin me elektoratin përmes zyrave të deputetëve në zonat përgjegjëse, deputetët, sipas Ramës, duhet të angazhohen dhe me problemet e fermerëve, si pajisjen e tyre me dokument pronësie të tokës bujqësore, si dhe me marrjen e zbatimin e projektit të madh kombëtar të ujitjes dhe kullimit të tokës.
Kryeministri Rama është treguar i gatshëm që të ndihmojë çdo kontakt me biznesin që do të realizohet me sipërmarrës të huaj përmes deputetëve, duke bërë të mundshëm dhe krijimin e lehtësirave administrative për zhvillimin e investimeve në zonat e deputetëve për rritjen e ekonomisë dhe punësimit në këto zona.
Panorama
Add new comment