Protesta në Slloveni, mbi 20 të arrestuar

Postuar në 04 Dhjetor, 2012 11:10

Mijëra protestues u përleshën ashpër me policinë në Maribor të Sllovenisë, qytetin e dytë më të madh në vend, në një tjetër demonstratë kundër shkurtimeve të buxhetit në shtetin financiarisht të trazuar. Policia tha më shumë se 20 njerëz u arrestuan dhe të paktën një polic u plagos, pasi nga turma prej rreth 6 mijë protestuesish u hodhën bomba molotov dhe gurë. 
Protestuesit kërkonin dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Mariborit Franc Kangler, i cili është akuzuar për korrupsion. Kangler u përjashtua nga Partia Popullore sllovene, një partner i vogël në koalicionin konservator të kryeministrit Janez Jansa, në muajin nëntor pas  publikimit të akuzave për korrupsion, por deri tani ka refuzuar të japë dorëheqjen si kryetar bashkie. 

Manifestimet, të organizuara përmes Facebook-ut, u mbajtën në mënyrë paqësore në pesë qytete të tjera; ndryshe nga protesta e së premtes në Ljubljanë, ku u regjistruan akte të ashpra dhune. Demonstruesit thanë se zgjedhjet e së dielës, ku fitoi ish-kryeministri i qendrës së majtë, Borut Pahor, nuk do të përmirësojnë kushtet në një vend të goditur rëndë nga rënia globale për shkak të varësisë së saj në eksporte. Sllovenia, e cila u bashkua me zonën euro në vitin 2007, tani është duke luftuar për të shmangur një paketë shpëtimi në mes të recesionit, papunësisë së lartë dhe një numri në rritje të kredive të këqija në bankat lokale. 

Qeveria ka në plan të shkurtojë pagat e sektorit publik, të zvogëlojë përfitimet e mirëqenies, të rrisë moshën e pensionit dhe të shkurtojë shpenzimet në shkolla dhe shëndetësi në mënyrë që të zvogëlojë defiçitin buxhetor në 3 për qind të PBB-së nga 4.2 për qind që pritet në vitin 2012. Analistët thanë se protestat dëmtojnë dhe më ekonominë sllovene, ndërsa projektojnë një imazh të Sllovenisë si një vend potencialisht të paqëndrueshëm.

 

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.