Prokuroria-KLD: Të hetohet gjyqtarja Hoxha

Postuar në 20 Mars, 2013 07:19

 

Tiranë Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar KLD-së autorizim për hetimin e gjyqtares Teuta Hoxha, e dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”. Kërkesa i është përcjellë KLD-së dy ditë më parë, ndërsa pritet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës që do të zhvillojnë anëtarët e saj. Sipas burimeve nga KLD-ja mësohet se prokuroria kërkon hetimin e gjyqtares Teuta Hoxha, pasi në datën 22 shkurt 2013 është bërë regjistrimi në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar gjyqtares veprën penale “shpërdorim detyre”. Sipas burimeve mësohet se hetimet ndaj gjyqtares kanë nisur pas kallëzimit penal të bërë nga një prej palëve në një çështje gjyqësore të gjykuar nga zonja Hoxha. Kallëzuesi pretendon se gjyqtarja ka administruar në cilësinë e provës një dokument që ishte deklaruar më parë i falsifikuar. “Rezulton se personi ndaj të cilit zhvillohen hetime, Teuta Hoxha, ka administruar si prova, duke qenë në dijeni të plotë të falsitetit të tyre, dokumente të falsifikuara, duke u dhënë atyre vlefshmëri në kundërshtim me vendimet penale me të cilët është deklaruar fajtor një person (noter) dhe është urdhëruar asgjësimi i kontratave të falsifikuara”,- thuhet në kërkesën e prokurorisë dorëzuar KLD-së. Ky fakt, sipas prokurorisë është provuar nga hetimet e kryera, por rezulton se këto dokumente nuk janë marrë parasysh nga gjyqtarja në shpalljen e vendimit përfundimtar. Sipas vendimit që gjyqtarja Hoxha ka dhënë në maj të vitit të shkuar, çështja është zgjidhur me pajtim mes palëve, çka do të thotë se nuk ka qenë i nevojshëm administrimi i dokumenteve të paraqitura prej tyre. Hetimet për çështjen vazhdojnë, ndërsa KLD pritet të marrë vendim për kërkesën e prokurorisë.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.