Prokuroria apelon në Gjykatën e Lartë vendimin për “21 janarin”

Postuar në 11 Tetor, 2013 03:24

Prokuroria ankimon vendimin e Apelit për ‘21 Janarin’. Burime nga Gjykata e Tiranës bënë të ditur për “News24” se rekursi i Prokurorisë është dorëzuar në Gjykatën e Lartë pasditen e sotme. Mësohet se rekursi u dorëzua nga prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani, të cilët kanë qenë prokurorë të çështjes në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit “fali” ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, teksa e dënoi vetëm një vit burg për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Faik Myrtaj, më 21 janar 2011. Sipas treshes gjykuese të kryesuar nga Ervin Metalla, me anëtarë Agim Bendo dhe Evjeni Sinojmeri, ish-kryegardisti Prendi, ndodhej në kushtet e tronditjes, në kohën kur ndodhi vrasja, ndaj për këtë fakt është toleruar në caktimin e masës së dënimit. Vrasja nga pakujdesia, akuzë për të cilën u cilësua fajtor Ndrea Prendi, dënohet me gjobë deri në 5 vite burg, por gjykata vendosi ta dënonte ish-zyrtarin e lartë të Gardës vetëm me 12 muaj heqje lirie.

Ndërkaq, për ish-majorin Llupo, i cili u dënua me tri vite burg për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, gjykata mban një tjetër qëndrim kur shprehet “Nuk konstatohet e njëjta situatë tek rasti i të pandehurit Agim Llupo”.

Përdorimi i armës
Në një vendim prej 23 faqesh, me dy vota pro dhe një kundër, Gjykata e Apelit ka renditur të gjitha argumentet, përse prishi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që u kishte dhënë pafajësinë dy të pandehurve, Prendi dhe Llupo. Mes të tjerash, gjykata arsyeton se “përdorimi i forcës nga të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, duke qëlluar me armë zjarri në ajër në rastin e sulmit që iu bë viktimave të Gardës dhe objektit të Kryeministrisë, si objekt i rëndësisë së veçantë më datë 21 janar 2011, pas paralajmërimeve përkatëse ishte i bazuar në ligj, por jo proporcional në raport me viktimat Faik Myrtaj e Ziver Veizi, të cilët nuk bënin pjesë tek protestuesit, pjesë aktive e sulmit”.

Mandej, arsyetohet se “Gjykata e Apelit në ndryshim nga Gjykata e Shkallës së Parë çmon se i pandehuri Ndrea Prendi dhe i pandehuri Agim Llupo kishin detyrimin objektiv dhe mundësinë subjektive për të parashikuar se mënyra sesi ata qëllonin me armë zjarri në ajër, me fishekë luftarakë mund të sillte pasojat që erdhën në fakt. Fakti që kanë qëlluar në ajër, pra, jo drejt viktimave nuk i çliron të pandehurit nga përgjegjësia që ata kanë për të qëlluar në këndin dhe mënyrën e duhur në ajër. Është kjo arsyeja pse në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit në vende publike ku ka mbledhje apo grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve, armët e zjarrit mund të përdoren vetëm kundër personave të veçantë që kryejnë vepra të dukshme dhune kundër personit apo pasurisë. Vetëm në këtë mënyrë, përdorimi i forcës mund të konsiderohej proporcional”. Në këtë mënyrë, thekson treshja gjykuese, këta të pandehur kanë vepruar me pakujdesi në formën e neglizhencës dhe duhet të përgjigjen penalisht për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.