Pranimet në universitete, sivjet 2700 kuota më tepër

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar kuotat për pranimet në universitete publike në vitin akademik 2012 – 2013. Në total ato numërojnë 26072 studentë të rinj, që priten të ulen në audiorët e institucioneve të arsimit të lartë, ndërkohë që nëse i krahasojmë me tabelën e kuotave të vitin të kaluar rezulton se ato janë 2747 kuota më tepër.
Ndërsa nëse do të krahasohen me vitin akademik 2010 – 2011, kjo do të thotë se do të pranohen rreth 5000 studentë më tepër se para dy vitesh. Këto kuota ende nuk janë zyrtarizuar, pasi nevojitet edhe konsensusi i drejtuesve të universiteteve, ndërkohë që pas kësaj faze ato do të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave. Megjithatë, po të mbahet parasysh eksperienca e viteve të kaluara, ato nuk kanë pësuar ndryshime nga propozimet e MASH. Shpërndarja e kuotave tek drejtuesit e universiteteve këtë vit filloi me incidente, duke qenë se edhe pas publikimit të tyre rektorët ende nuk i kishin në duar.
Madje, rektori i Universitetit të Arteve, në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, para disa ditësh pohoi se e kishte marrë vesh nga mediat lajmin e kuotave dhe se ende nuk kishte një shkresë zyrtare në dorë. Risi e këtij viti është hapja e Fakultetit të Infermierisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, për të cilin MASH ka parashikuar në total 220 kuota. Ky fakultet do të ketë në përbërje këto njësi bazë: Departamenti i Infermieristikës, departamenti i Lëndëve Klinike dhe Paraklinike, qendrën e Kërkimit dhe Zhvillimit Mjedisor e Diagnostikues dhe qendrën Rajonale Spitalore. Fakulteti i Infermierisë do të ofrojë programet ekzistuese të studimit të ciklit të parë që realizohen me 180 kredite, me kohëzgjatje normale jo më pak se 3 vite akademike, në përfundim të të cilave lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në infermieri e përgjithshme dhe infermieri - mami. Gjithashtu, ai do të ofrojë programin ekzistues të studimit të ciklit të dytë, që realizohet me 90 kredite me kohëzgjatje normale një vit e gjashtë muaj.
top-channel.tv
Add new comment