Populizëm 2013 ,nacionalizëm-antiberishizëm-taks-free

Postuar në 24 Shkurt, 2013 13:31

 

TIRANË Kur në vende të tilla si Franca, ku Marine Le Pen e Frontit Kombëtar siguroi një numër të konsiderueshëm votash me qëndrimet ekstreme të djathta, apo edhe ato me afër vendit tonë, si Hungaria e deri te fqinjët grekë apo maqedonas, që kanë shtuar jo pak qëndrimet nacionaliste, në Shqipëri ky debat deri para do kohësh përcillej vetëm përmes disa zërave të veçuar. Në një kohë kur vetë Bashkimi Europian dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë kanë ndryshuar shumë të menduarit politik lidhur me këtë çështje, e ku lëvizja e lirë e bashkëjetesa mes popujve ka lënë pak vend për t’iu kthyer kësaj teze, Shqipëria merr një kthesë të papritur. Pas më shumë se dy dekadash, kryeministri  Berisha po impenjohet me tezën e një nacionalizmi të rrokshëm dhe jo pa qëllim. Shumë analistë e kanë perceptuar kartën e Sali Berishës si një kartë elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, disa të tjerë si shmangie nga kriza politike e ekonomike, por ka edhe nga ata të cilët e kanë cilësuar pozitive. Vetë Berisha ka lënë të kuptohet në qëndrimin e tij se kjo kartë nuk ka si qëllim pretendime territoriale dhe se synimi i vetëm është promovimi i vlerave të mirëfillta të një kombi të ndarë në 5 shtete. Ka edhe nga ata që e shtjellojnë më tej këtë tezë, si kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, i cili guximshëm është shprehur se jo në mandatin që vjen por në ato të mëvonshmet do të diskutohet për një shtet mes kombesh ku flitet shqip. Edhe pse jo e shkruar, por e trumbetuar qysh herët si pjesë e programit të PD-së që në ngjizje, mazhoranca pritet që ta ketë patriotizmin si pjesë të arsenalit propagandistik të fushatës që është në prag, megjithëse për vetë rezultatin që ka në rajon, por edhe më gjerë, ajo konsiderohet thjesht populiste. Një lëvizje e cila nuk shkon deri aty sa për të marrë pushtetin, por e sigurt për të ndihmuar një synim të tillë. Në anën tjetër socialistët, siç u shpreh dje edhe vetë Rama, do të dalin para popullit me tezën e atdhetarizmit dhe jo nacionalizmit, e konsideruar nga ai si tezë arkaike. Socialistët do të ecin me tezën se në vend ka nevojë për patriotizëm, dhe se ajo që po bën mazhoranca është thjesht një lëvizje për vota. Për ta shtjelluar këtë qëndrim, socialistët do të prekin jo pak “shitjen e detit” nga qeveria përmes marrëveshjes detare me Greqinë, edhe pse kjo do të ketë dhe ka pasur pasojat e veta në raport me aleatin e saj, tashmë të humbur, PBDNJ.

Pa taksa

Nacionalizmi pritet të jetë vetëm njëra anë e betejës mes dy forcave kryesore politike. Ajo që ka zënë vend dhe po aq edhe në debatin e ardhshëm elektoral, do të jetë sistemi i taksimit. Edhe dy ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, Berisha ruajti pozicionin e taksave të ulëta. Me qëllimin për të zhvilluar një ekonomi liberale tregu, kreu i PD do të ecë sërish me tezën se taksa e sheshtë do të ulë barrën ndaj biznesit dhe individëve, duke nxitur rritjen e punësimit. Në anën tjetër PS-ja do të ndjekë linjën e një programi tipik socialdemokrat. Ajo do të mbrojë tezën “jo taksë e sheshtë, por taksë progresive”, me idenë se kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. Por gara për sistemin e taksave në vend nuk përfundon me kaq. Pak kohë më parë, Berisha foli për taksa “free”. Për një nxitje të punësimit të të rinjve, (numri i të cilëve pritet të jetë i lartë në zgjedhje), Kryeministri ka premtuar heqjen për tre vjet të çdo takse (sigurimet shoqërorë, shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat personale) si dhe shpenzimet për kualifikimin për çdo të ri që do të punësohet në sektorin privat. Me tezën e taksimit të vogël, Berisha premton se do të vendosë heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë, veglat, plehrat, kimikatet, fidanët, farërat dhe çdo gjë tjetër që importohet për çdo lloj procesi në bujqësi, blegtori, degët e lidhura me to, agrobiznes etj. Premtime këto të përcjella edhe nga PS-ja në programin e ri me tezën “të ofrojmë shumë e të favorizojmë po kaq shumë”. Të dyja partitë kanë filluar një luftë të ashpër në këtë drejtim, edhe pse asnjëra prej tyre nuk ka marrë përsipër të sqarojë sesi do kompensohet gropa e madhe financiare që do të sjellin këto politika. Sistemi i taksimit në vend dhe për më shumë ai i katër viteve të mandatit të ri qeverisës, është kthyer në një mollë sherri mes dy kampeve politike. Sapo Berisha udhëzoi dhe miratoi heqjen e taksave për pagat nën 300 mijë lekë të vjetra, nga selia rozë u kundërpërgjigjën se PD dhe Berisha po kopjojnë keq programin e tyre. E njëjtë është historia edhe për taksën doganore të makinerive, të cilën mazhoranca e hoqi në Kuvend, opozita nuk e votoi, por selia rozë tha se ne e kemi deklaruar muaj më parë. E vetmja heqje taksash, ku nuk ka polemikë për autorësinë por ka kundërshtime, është ajo e biznesit të vogël. Rama me të tijtë kanë disa muaj që e kanë bërë atë publike. Heqja e taksës së biznesit të vogël edhe kjo një tezë shumë populiste, është kundërshtuar nga demokratët, madje një ditë pasi kamerat me Ramën kishin vizituar bizneset ku premtonin një masë të tillë, demokratët me tregtarë të tjerë e konsideronin atë një lajthitje ekonomike.

Antiberishizmi dhe antikomunizmi

Edhe pse jo aksesorë kryesorë të strategjive eklektorale, të dy temat e mësipërme kanë zënë dhe do të zënë vend në fushatën e zgjedhjeve të qershorit, që shumë e krahasojnë  për nga tensioni me të ’96-ës. Rama, por edhe shumë eksponentë socialistë, do ta përdorin ketë tezë duke evidentuar se Berisha ka marrë institucionet e pavarura dhe kushtetuese, si dhe do të aplikojnë në mënyrë të ndërthurur me programin edhe denoncimet për korrupsion dhe nepotizëm. Po kështu Berisha u pa qartë në festimet e përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha, se nuk e ka harruar aspak antikomunizmin që e solli në pushtet për herë të parë më ‘91-in dhe që e ka rimarrë pothuaj në të gjitha fushatat elektorale përveç asaj të 2005-s dhe 2011-ës. “Hoxhistët kanë marrë PS-së, por kjo do të jetë hera e fundit që ne do t’i mundim ata”, – tha Berisha para pak ditësh në Qytetin Studenti.

Shëndetësia

Pika tjetër nevralgjike është shëndetësia. Kryetari i PS-së, Edi Rama, surprizoi me ofertën që ai kishte për reformën në shëndetësi. Ai ka folur për një sistem shëndetësor universal ose siç njihet ndryshe mbulim universal. PS propozon me programin e ri ndryshim të skemës në themel, ku shqiptarët individualisht nuk do të paguajnë më për t’u siguruar, por kolektivisht do të kontribuojnë për shëndetin nëpërmjet shtetit dhe blerësi i shërbimit shëndetësor nuk do jetë individi, siç është sot, por do jetë shërbimi kombëtar shëndetësor, një institucion i ri kombëtar që PS parashikon ta themelojë dhe të cilit do t’i japi fuqinë blerëse për kujdesin shëndetësor. Një propozim i tillë nga ana e PD-së, por edhe LSI-së, është konsideruar kolaps për financat. Kryeministri Berisha ka premtuar se sistemi shëndetësor do të vijojë të bazohet në kontributet shëndetësore për të gjithë ata që kanë marrëdhënie pune. Për të gjithë të tjerët, është qeveria ajo që merr përsipër kontributet e tyre dhe trajtohen njësoj si ata që paguajnë kontribute. Kryeministri ka premtuar gjithashtu reduktimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë përmes masave  parandaluese dhe që mbështeten në krijimin e iniciativave antikorrupsion.

Hapet thesi për pagat

Kryeministri Sali Berisha parashtroi pak ditë më parë disa nga zotimet e qeverisë për atë që ai e cilësoi si “mandat i ardhshëm 2014-2016”. Berisha premtoi se do të sigurojë  politika që do të garantojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, por në të njëjtën kohë u angazhua se do të vijojë të rrisë pagat dhe pensionet. Kryetari i PS-së, Edi Rama, prej kohësh është treguar i rezervuar në këtë pikë, duke paralajmëruar se situata ekonomike që pret këtë vit do të jetë e vështirë. Megjithatë, gjatë prezantimit të mbrëmshëm të programit, edhe Rama nuk arriti dot t’i shpëtojë retorikës të imponuar në këtë rast nga kundërshtari. Kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, foli mbrëmë  për rritje pagash të një kategorie të caktuar, atë të policëve. “Në mandatin tonë të parë ne do të sigurojmë që inspektori i policisë të paguhet 570 mijë lekë. Kryeinspektori 632 mijë lekë. Nënkomisari 727 mijë lekë. Komisari 800 mijë lekë. Kryekomisari 880 mijë lekë. Drejtuesi 1 milion e 12 mijë lekë. Drejtuesi i parë 1 milion e 113 mijë lekë. Zëvendësdrejtori 1 milion e 280 mijë lekë”, – tha mbrëmë Tahiri.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.