Policia bashkiake përleshet me tregtarët për llamarinat “pa leje”

Policia Bashkiake e Tiranës u grind sot me tregtarët e tregut me shumicë të zarzavateve pranë ish-Uzinës Dinamo, pasi shkoi atje për të prishur “një ndërtim pa leje”. Tregtarët po ndryshonin çatinë prej llamarine me llamarinë sanduiç, veprim që për kreun e Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës Florenc Hoxha, përbën “ndërtim pa leje”.
Tregtarët e këtij tregu janë grindur më herët me Bashkinë, e cila ka deklaruar se tregu është jashtë kushteve higjenosanitare dhe duhet të mbyllet. Sipas bashkisë, tregu duhet të zhvendoset në një ndërtesë private në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, lëvizje që sipas tregtarëve, bëhet për qëllime të përfitimit privat.
Tregu te ish-Uzina Dinamo është nën pronësi private.
Policia Bashkiake e Tiranës u përpoq të ndalojë tregtarët të ngrenë konstruksionin metalik në prani të policisë së Shtetit, e cila u përpoq të mbetet asnjanjëse. Pas protestave që përfunduan deri në konfrontim fizik, Policia Bashkiake duket se është drejt tërheqjes.
Shqip
Add new comment