PDIU bashkon votat me mazhorancën

Patos, Maksi Goga zgjidhet kryetar i këshillit bashkiak. Nuk mjaftojnë votat e LSI-së
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka bashkuar votat me koalicionin qeveritar në bashkinë e qytetit të Patosit, ku kjo forcë politike ka një influencë të konsiderueshme. Kështu, PDIU-ja braktisi dje koalicionin e djathtë, teksa vendosi që të votojë pro kandidatit të majtë Maksi Goga, i cili është zgjidhur më pas me shumicë votash të anëtarëve si kryetar i Këshillit Bashkiak të Patosit. Fillimisht, në mediat vizive u përhap lajmi se Partia Socialiste e qytetit të Patosit kishte braktisur aleancën me LSI-në në një votim dje në Këshillin Bashkiak, duke bashkuar votat me PDIU-në. Ndërkohë, burime nga ky Këshill, në një prononcim për gazetënShqip e mohuan këtë lajm duke vërtetuar të kundërtën, atë që PDIU-ja është bashkuar me PS-në në votimin e djeshëm. “Për problemin e këshillit të Patosit, ngjarja është krejt ndryshe. Nuk ka pasur përçarje të PS-së dhe LSI-së, por këtyre u janë bashkuar edhe ata të PDIU-së. Në këtë Këshill, LSI-ja ka vetëm dy këshilltarë dhe se njëri është shumë i sëmurë, kështu që nuk ka pasur ndonjë konflikt, pasi dhe ata të LSI-së janë pak dhe nuk arrihet kuorumi i nevojshëm për të miratuar këtë kandidat. Nuk është e vërtetë se ka qenë vendimmarrje për drejtorin e ri të ujësjellësit siç thotë ABC News, por është zgjedhur kryetari i Këshillit Bashkiak, Maksi Goga”- thanë dje burimet nga Patosi. Në qarqet politike qarkullon prej kohësh një qëndrim më i ndryshëm i PDIU-së në marrëdhëniet me mazhorancën. Edhe pse është një forcë opozitare, kjo parti nuk ka mbajtur të njëjtat qëndrime me PD në shumë raste. Madje kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar se është kundër bojkotit dhe se do të ketë një politikë konstruktive të kësaj force politike. Tri ditë më parë, mazhoranca e majtë regjistroi në radhët e saj 85 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, pas largimit të deputetit të PD-së Gjovalin Kadeli nga grupi parlamentar i PR-së, për t’u bashkuar me grupin parlamentar të LSI-së. Aktualisht mazhoranca përfaqësohet me 55 mandate të plota në Kuvend, por, pas votimit të djeshëm në Patos, 5 mandatet e PDIU-së mund ta zvogëlonin edhe më tej fuqinë e opozitës së djathtë, e cila do të reduktohej me 50 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.
SHQIP
Add new comment