PD-PS “sherr” në sy të ndërkombëtarëve. Kukan: Shqipëria i ka shanset të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor

Postuar në 29 Tetor, 2013 02:58

Takimi i gjashtë i Stabilizim-Asocimit, mes përfaqësuesve të parlamentit shqiptar dhe atij evropian është shoqëruar me momente tensioni mes mazhorancën dhe opozitën. Zënkat për të drejtën e fjalës përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës i kanë sjellë nga parlamenti edhe në sytë e kolegëve ndërkombëtare, kur deputeti Taulant Balla i dha të drejtën e fjalës ish-ministrit të Jashtëm Aldo Bumci si favor jashtë radhës, por ky i fundit e cilësoi një procedurë në vazhdimësi e cila është respektuar edhe kur këto takime drejtoheshin prej tyre.

Bumçi më tej ka ngritur edhe shqetësimet lidhur me vendimet e fundit të qeverisë, kryesisht në policinë e shtetit dhe emërimin e paligjshëm siç e cilësoi ai, të drejtorit të përgjithshëm të policisë Artan Didi.

Lidhur me këtë çështje Balla ka premtuar se në vazhdimësi të këtij takimi do të ketë kohë për të diskutuar çështjet e ngritura nga përfaqësues të opozitës, ndërsa falënderoi PE-në për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së.

Ndërkaq ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është ndalur tek përpjekjet e bëra nga vendi ynë në kuadër të realizimit të reformave për integrimin europian.

“Për ne marrja e statusit të vendit kandidat dhe më tej nisja e bisedimeve është proces i mundshëm, por jo i përfunduar. Pasi e cilësojmë si nxitje në realizimin e reformave në kuadër të integrimit. Kjo është një etapë e re, jo thjesht një udhëtim drejt Europës, por një udhëtim drejt vetes. E konsiderojmë si një hap më tej në rrugën e realizimin të reformave me cilësinë e duhur dhe ritmin që kërkon BE. Qytetarët presin cilësi dhe standarde më të larta jetese. Vëzhguar në këtë drejtim, procesi i integrimit është i rëndësishëm për vendin, edhe sa i takon integrimit social, politike e ekonomik. Mazhoranca shpreh bindjen për bashkëpunim me opozitën dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, u shpreh Bushati.

Për bashkëkryetarin e takimit Eduard Kukan Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor. Por për të arritur këtë sipas kreut të delegacionit të PE-së nevojitet dialog gjithëpërfshirës dhe ende punë në mënyrë që procesi të rrënjoset në politikën vendase.

Kukan deklaroi se në Shqipëria këto kohë kemi para disa shenja të mira dhe premtuese, duke menduar që dialogu politik ka menaxhuar zgjedhje të mira, dhe një kalim pa probleme të pushtetit.

“Ne vijmë në një kohë të rëndësishme, disa javë mbas vlerësimit dhe rekomandimit për statusin, dhe disa javë para se të takohet Këshilli Evropian, që do të kenë një vendim të rëndësishme për Shqipërinë. Rekomandimi është sinjal për të gjithë forca politike, që tregon vlerësimin për ato arritje që janë bërë, dhe për të inkurajuar qeverinë e tanishme për të vazhduar reformat. Një sinjal që procesi mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse shihet si një interes i përbashkët. Në këtë periudhë shoh parlamentin si një aktor të rëndësishëm në këtë proces. Parlamenti është pjesa kryesore e demokracisë, në të cilin diskutimet politike dhe dialogu gjithëpërfshirës duhet të ndodhë. Ky dialog është kritik në procesin e mëtejshëm të integrimit” tha Kukan.

Ndërkaq, ambasadori Sequi u ndal tek prioritetet kyçe ku duhet të fokusohet vendi ynë, që janë reforma në administratën publike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, si dhe përfshirja e romëve.

“Ne presim një bisedim konstruktiv politik, dhe do isha i lumtur që të çoja në selinë e BE faktet se aktorët politikë në Shqipëri po bëjnë hapat e duhur në kuadër të integrimit europian. Edhe zgjedhjet në vend u panë si pozitive. Duke parë këtë progres, dhe duke parë këtë angazhim të Shqipërisë, KE vendosi të propozojë dhënien e statusit të vendit kandidat për vendin. 5 prioritetet kyçe për adminsitratën publike, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njëriut, si dhe përfshirja e romëve. Ne jemi të bindur se integrimi europian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës. Nuk kemi kohë për të humbur, sidomos deri në dhjetor, ky proces i reformave duhet vijuar, kryesisht sa i përket realizimit të prioriteteve kyçe”, theksoi kreu i delegacionit të BE në Shqipëri.

Më tej, ambasadori Sequi shprehu angazhimin e Bashkimit Europian në mbështetje të integrimit të Shqipërisë. Sequi tha se në muajin nëntor komisionieri Fyle do të lançojë një iniciativë në kuadër të integrimit.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.