PD-ja, presion administratës duke i kërcënuar me vendin e punës

Postuar në 03 Mars, 2013 11:21

 

Format

  1. Rekrutim në punë mbi premtimin e votimit familjar për partinë që ka pushtetin.
  2. Anëtarësim në parti dhe kërkesë për votim, për të mbajtur vendin e punës.
  3.  Shkarkim nga puna, në rast se një individ është i afërt me partinë kundërshtare.

Fushata

Nëpunësve u merren të dhënat personale dhe u shpërndahen tesera të PD-së

Fatjona Mejdini

Partia Demokratike ka nisur fuqishëm në bazë anëtarësimet në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Punonjësit e administratës shtetërore janë bërë shënjestra e një presioni politik ku i kërkohet direkt dhe indirekt që të votojnë për PD-në, pasi do të jenë të ekspozuar. Burimet e gazetës “Shqip”, bëjnë të ditur se në qytetet kryesore në vend anëtarësimi në partitë të cilat drejtojnë institucionet shtetërore po bëhet dhe mbi bazën e presionit. Një rast i tillë është dhe ai i kompanisë më të madhe të naftës në vend “Albpetrol” në Qarkun e Fierit, në të cilën pak ditë më parë, për rreth 3000 punonjësit e kësaj kompanie ka nisur procesi i anëtarësimit në Partinë Demokratike, i cili mësohet se po bëhet i detyruar dhe nën kërcënimin e vendit të punës. Por paralelisht me këtë proces, po ecën dhe ai i rekrutimeve elektorale. Qindra qytetarë në të gjithë vendin po punësohen rishtas në kompanitë shtetërore në këmbim jo vetëm të votës së tyre, por të familjarëve gjithashtu dhe të gjithë njerëzve të afërt me ta. Duket se direktiva e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e zhvilluar rreth një javë më parë me krerët e PD-së në rrethe ka kërkuar rritjen e numrit të anëtarësimeve të kësaj partie në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Procesi i politizimit të administratave shtetërore në prag të fushatave elektorale është i njohur në Shqipëri dhe është evidentuar disa herë me shqetësim nga ndërkombëtarët dhe po kështu dokumentuar në raportet e tyre për monitorimin e zgjedhjeve në vend.

Situata

Aktualisht, punonjësit e kompanisë më të madhe të naftës në vend, “Albpetrol” pas muajsh mospagese dhe problemesh si pasojë e një procesi të nisur, por të dështuar privatizimi, po përballen me një tjetër problem. Prej ditësh, tashmë ata janë të detyruar të firmosin anëtarësimin e tyre në Partinë Demokratike, pavarësisht nëse janë simpatizantë të ndonjë force tjetër politike, apo qytetarë të paangazhuar në politikë. Burimet bëjnë të ditur se refuzimi që ata mund t’i bëjnë një nisme të tillë të marrë nga drejtuesit e institucioneve, i çon automatikisht në humbjen e vendit të punës. Një nismë e tillë duket se vjen në një kohë kur marrja e një mandati të tretë qeveris është kthyer në sfidë të rëndësishme për partinë në pushtet dhe për pasojë rritja e numrit të anëtarësisë u krijon drejtuesve të PD-së idenë e kontrollit mbi qytetarët dhe për pasojë për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Praktikat

Praktikat e anëtarësimit dhe rekrutimit të punonjësve të administratës në vend në kuadër të zgjedhjeve politike të radhës është konsideruar si e patolerueshme nga ana e ndërkombëtarëve dhe institucioneve të tyre përgjegjëse për demokratizimin e jetës në Shqipëri. Është ironike që në një moment mazhoranca kërkon me insistim të miratojë ligjin për statusin e nëpunësit civil për të përmirësuar pozitën e tyre, nga ana tjetër kryen anëtarësime të sforcuara partiake tek ta. Por ky nuk është rasti i parë kur punonjësit e administratës shtetërore kanë qenë të detyruar jashtë vullnetit të tyre të kryejnë aktivitete partiake. Me dhjetëra mitingje dhe festime në sheshe vitet e fundit janë realizuar mbi bazën e presionit të përdorur mbi punonjësit e administratës. Në këto fushata janë përfshirë dhe arsimtarët dhe po kështu, punonjësit e shëndetësisë në vend.

Ndërkombëtarët: Përfaqësuesit e huaj në vend kanë ngritur në mënyrë periodike shqetësimin për presionin ndaj administratës publike në fushata.

Rastet: Me dhjetëra mitingje dhe festime në vend janë organizuar vitet e fundit mbi bazën e nxjerrjes së detyruar të punonjësve në sheshe.

Ligji: Mazhoranca ka kohë që kërkon me insistim miratimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil, i cili në thelb ka rritjen e sigurisë për punonjësit.

Direktivat: Kryeministri Berisha në një mbledhje të zhvilluar një javë më parë më drejtuesit e PD-së në bazë ka kërkuar rritjen e numrit të anëtarësimit.

 

Elbasan

Berisha, mësuesve: Do t’ju rris rrogat

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me mësuesit në qytetin e Elbasanit, ku ka premtuar vijimin e rritjes së pagave për ta në çdo vit. “Pagat dhe pensionet do të rriten për sa kohë shqiptarët të më votojnë dhe duhet ta dini se për rritjen e pagave nuk është marrë asnjë qindarkë borxh, por është bërë me të ardhurat nga taksat”, deklaroi Berisha në fjalën e tij. Po dje përballë mësuesve Berisha foli dhe për korrupsionin, duke theksuar se ishte e rëndësishme për të përfshirë në sistemin arsimor edhe edukimin e nxënësve, luftën kundër korrupsionit. Ai po kështu u kërkoi qytetarëve të denoncojnë zyrtarët e korruptuar për të qenë dhe ata pjesë e luftës të qeverisë për një administratë larg korrupsionit dhe në shërbim të qytetarëve. Berisha foli dje dhe për përmirësimet që, sipas tij, duhen bërë në sistemin arsimor dhe premtoi rindërtimin brenda dy viteve të ardhshme të më shumë se 500 shkollave në vend. “Nuk është se nuk kemi mangësi dhe ato janë të shumta, por ne kemi bërë një rrugë të shkëlqyer së bashku. Ne kemi ambicie të ngjitemi në shkallën e cilësisë, pasi pa dije s’ka zhvillim”, deklaroi Berisha.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.