Papulias zbut presionin grek për paktin detar dhe varrezat

Papulias - Presidenti grek, Karolos Papulias, i kujtoi palës shqiptare se çështja e kufirit detar mes dy vendeve do të ndiqet si nga dy presidencat e radhës së Bashkimit Europian për gjatë 2014-s, nga Greqia dhe Italia
Nishani - Presidenti shqiptar ka ngritur shqetësimet për temat të cilësuara si patate e nxehtë mes dy vendeve, ligji i luftës që mbahet në fuqi nga Greqia dhe mbi të gjitha problemin e pronave të shqiptarëve
Avramopulos - Ministri i Mbrojtjes i mëshoi faktit të ecjes përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i kujtuar Tiranës zyrtare se kodet ndërkombëtare europiane janë ato që duhet të ndjekin së bashku
Mihalos - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme për çështjet ekonomike u cilësua si një ere e re bashkëpunimi mes dy vendeve tani që sipas tij qeveria “Rama” e ka të qartë rrugën europiane që duhet ndjekur
Shehu - I vetmi deputet i PD-së në tryezën ekonomike ishte Dashamir Shehi, i cili mund të quhet më tepër si kryetar i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, sesa përfaqësues i partisë më të madhe opozitare
Vizita
Athina ndryshon performancën te rrugët për shtrimin e kërkesave
BLEDAR HOTI
Presidenti grek, Karolos Papulias, jep mbështetjen për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, duke i kujtuar se ajo do të realizohet vetëm pas përmbushjes të të gjitha kushteve. Njeriu që u cilësua nga Presidenti Nishani, si ‘një mik i madh i shqiptarëve’ e dha këtë paralajmërim në fjalën e tij në tryezën e përbashkët ekonomike për biznesin shqiptaro-grek. “Të ndjekim një kurs të ri”, ky ishte lajtmotivi i kësaj tryeze, por që dukshëm u proklamua në diskutimet e ministrave grekë Avramopulous, Mihalos dhe Maniatis. “Bisedimet me Presidentin Nishani ishin frytdhënës dhe shpresëdhënës. Pavarësisht krizës ekonomike, Greqia nuk ka hequr dorë nga prezenca e saj me biznese në Shqipëri, madje prezenca e saj do të jetë më e fuqishme. Minoriteti kombëtar grek dhe shqiptarët që punojnë atje përbëjnë një urë të fuqishme bashkëpunimi. Greqia ka pasur rolin e saj protagonist për integrimin e Ballkanit në BE, që në samitin e vitit 2003. Gjatë këtij protagonizmi që do të vazhdojë duhet të theksoj se Shqipëria do të ketë mbështetjen e Greqisë për në itinerarin europian plotësisht me kushtet e vendosura, kur ato të plotësohen”, tha Papulias në këtë tryezë. Ndërsa vetë Nishani për ‘përballjen’ me homologun e tij grek theksoi se “me Presidentin Papulias zhvilluam një takim shumë të mirë, i cili përbën pa dyshim një kulminacion dhe një shtysë të mëtejshme në marrëdhëniet tona”.
Ligji i luftës dhe toponimet
Takimi i delegacioneve mes Papulias dhe Nishanit ka zgjatur dy orë në Presidencë, duke diskutuar rreth temave të ndryshme dhe ato që kanë ndikuar në marrëdhënie jo të mira mes dy vendeve fqinje. Kreu i shtetit shqiptar në deklaratën për mediat u shpreh se “Marrëdhëniet tona nuk duhet të dominohen dhe të përcaktohen nga probleme të së shkuarës, por nga e ardhmja e përbashkët”. “Kërkova që Parlamenti grek të shfuqizojë ligjin grek të luftës, akoma në fuqi dhe që mban në sekuestro konservative pasuritë e shtetasve shqiptarë në Greqi, si edhe abrogimin e të gjitha ligjeve që rrjedhin prej tij dhe që janë në kundërshtim me nenin 15-të të Traktatit të Miqësisë. Shpreha shqetësimin për moszgjidhjen ende të çështjes së toponimeve, e cila po bëhet pengesë për lëvizjen e lirë dhe shërbime që lidhen me legalizimin e dokumenteve të tjera. Delimitimi detar midis dy vendeve mbetet një çështje për t’u zgjidhur. Pala jonë është e gatshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me palën greke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm të secilit vend”, theksoi Nishani. Por, Presidenti grek në fjalën e tij para medias i ka shmangur të gjitha këto çështje të ngritura nga homologu i tij shqiptar. Papulias u fokusua vetëm te çështjet e minoritetit grek dhe kufirit detar. “Minoriteti etnik grek përbën një nyje lidhëse dhe të qëndrueshme të pazgjidhshme miqësie dhe bashkëpunimi midis dy vendeve dhe popujve tanë. Grekët e Shqipërisë janë ndër përbërësit më dinamikë të jetës, politikë ekonomikë dhe shoqërorë shqiptarë dhe të gjithë jemi dakord se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Nga ana tjetër, qindra e mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi përbëjnë gjithashtu një element të fuqishëm lidhës në marrëdhëniet tona. Diskutuam edhe për marrëveshjen e delimitimit të zonave detare. E informova mikun tim, zotin President, se politika e integruar do të jetë një përparësi si për presidencën e pritshme në BE ashtu edhe për presidencën italiane që do të do ta zëvendësojë”, tha Papulias. Por sa miqësor ka qenë ky takim i përbashkët në Presidencë. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë fjalës së tij në tryezën ekonomike, zbuloi një thënie të Papulias se “jemi fqinj, atë s’mund ta ndryshosh dhe ta zgjedhësh, duhet të bashkëpunojmë për interes të përbashkët”.
Era e re mes fqinjëve
Tryeza e pasdites për çështjes ekonomike, “Të ndjekim një kurs të ri”, solli mesazhe nga qeveritarët e dyja kampeve sinjale të qarta bashkëpunimi, ku vetë ministrat e cilësuan si një erë të re të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje. “Epoka e re që çelet mes dy vendeve tona është ndërmjet dy niveleve tona mbështetet në dy themele kryesore, nga njëra anë është filozofia e re e qeverisë së re Kryeministrit Rama, strategjia që ajo ka vendosur, objektet strategjike që ajo ka vendosur për zhvillimin e vendit. Është angazhimi i qeverisë në një nivel të ri, në një program reformator që do ta sjellë Shqipërinë më afër Europës. Jo vetëm me fjalë realizohen këto, por edhe me vepra. Pra ndryshimi i mentaliteteve, të strukturave dhe politikave që do të krijojnë mjedisin e duhur për çeljen e një mentaliteti të ri zhvillimor”, tha Panajotis Mihalos. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Dimitris Avramopulous, theksoi në fjalën e tij se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të shohin përpara. “Është një vizitë që karakterizohet si një vizion dhe çel një mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve. Ne pranojmë të drejtat ndërkombëtare si mundësi e zgjidhjes së problemeve tona. Greqia është ndër vendet e para që ka njohur Kodin Europian të fqinjësisë së mirë dhe ka punuar për një gjë të tillë. Greqia do të jetë në krah të Shqipërisë për periudhën e re që do të shohë përpara drejt Europës”, tha Avramopulos. Për një nivel të ri bashkëpunimi foli dhe zv.kryeministri Niko Peleshi.
Kryeparlamentari
Meta: Mesazhet e Papulias do sjellin përparim me Greqinë
Në takimin e përbashkët, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe Presidenti Karolos Papulias ndanë bindjen se tashmë ka filluar një erë e re bashkëpunimi mes dy vendeve dhe se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej përmes komisioneve të përbashkëta të punës dhe përmes frymës konstruktive dhe vullnetit të sinqertë. Në këtë kuadër, u vu theksi mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit, Meta, dhe Presidenti Papulias ndanë bindjen për rëndësinë që kanë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, si ura të forta bashkëpunimi dhe miqësie mes dy popujve dhe dy vendeve fqinje. Meta shprehu bindjen se pas vizitës dhe mesazheve domethënëse të Presidentit Papulias në Tiranë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shënojnë një përparim të dukshëm. “Në këtë drejtim, fryma dhe parimet e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe parimet e Bashkimit Europian, janë baza e trajtimit konstruktiv dhe e gjetjes së zgjidhjeve racionale të çështjeve të mbartura nga e kaluara”, u shpreh Meta.
Shqip
Add new comment