Papas: Ligji i Luftës ekziston, Vorio Epirin do e marrim me ushtri

Deputeti i “Agimit të Artë” flet në “News 24”. Kristo Papas: Ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir nëse s’i jepet autonomia.
Analisti i njohur i medias shqiptare, Artur Zheji, u rikthye mbrëmë me emisionin e tij “360 gradë”, në televizionin News24.
Në emisionin e tij të parë Zheji ka reziluar një intervistë në Greqi me kreun e grupit parlamentar të partisë “Agimi i Artë”, Kristo Papas, që është cilësuar si ideologu neonazist i kësaj partie. Papas shprehu edhe një herë qëndrimet fashiste të një pjese të politikës greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe çështjes çame.
Ka një kuriozitet shumë të madh në audiencën shqiptare, dilema ekziston apo nuk ekziston Vorio- Epiri. Sipas mendimit tuaj, ekziston Vorio-Epiri dhe, nëse ekziston, mbi ç’argumente e mbështesni këtë teze?
Fillimisht, Vorio-Epir është një emërtim që daton në fillim të shekullit të kaluar, pra shekullit XX, konkretisht pas vitit 1914. Për ne, historikisht nuk ekziston emërtimi Vorio- Epir në kuptimin se ka Epir Verior dhe Epir Jugor. Epiri është një dhe për ne ekziston një Epir që është grek dhe një pjesë e tij në këto momente ndodhet në duar të huaja, në duart e shtetit shqiptar. Sigurisht emërtimi ka mbetur dhe e kemi bërë tonin, e përdorim. Ajo që dua të nënvizoj, dhe kjo tregon shkallën e rënies së fuqisë së palës greke, është se politika zyrtare greke e konsideron Vorio-Epirin emërtim të ndaluar. Ministria e Jashtme ka frikë të përdorë emërtimin Vorio- Epir. Ndaj ne jemi shumë krenarë si parti, dhe unë personalisht, që detyruam zv/ministrin e Jashtëm të Greqisë, z. Ciara, të pranojë në sallën e Parlamentit grek dhe të shqiptojë emërtimin Vorio-Epir. Madje, duke iu përgjigjur pyetjeve tona, z. Ciara pohoi se edhe ai është vorio-epirot. Ngaqë besojmë se qeveria greke është e shitur ndaj interesave të huaja te fajdexhinjtë ndërkombëtarë, te borxhdhënësit dhe amerikanistët, konsiderojmë arritje tonën që, megjithëse në bisedime off rekord, deri edhe ministri i Jashtëm na ka pohuar se Vorio-Epiri është në zemrat tona dhe ne bëjmë aq sa mundemi, sepse kështu janë situatat. Nuk mundemi më shumë.
Kohët e fundit, me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri shqiptar tha se dikur Shqipëria mendohej nga Presheva në Prevezë. Cili është opinioni juaj për Kryeministrin Sali Berisha?
Zoti Berisha ndoshta i referohet një sporti, i cili sigurisht është i ndaluar nga feja myslimane. Siç duket, pi shumë. Këto janë deklarata të papranueshme dhe ne nuk i diskutojmë. Sigurisht mëkati nuk është për zotin Berisha. Mëkati është për palën greke sepse, kur ne pyesim në lidhje me çështjen në fjalë, marrim përgjigje të papranueshme nga qeveritarët grekë, të cilët na thonë se këto deklarata janë kryesisht për përdorim të brendshëm dhe se është fjalim paraelektoral i zotit Berisha. Ne e dimë se zoti Berisha, mbështetësit e tij, si dhe psikopati zoti Rama, i cili kishte paturpësinë të bënte deklarata të njëjta në qendër të Athinës, në një veprimtari në pallatin “Sporting”, trumbetojnë një tendencë më të përgjithshme të popullsive atje, pra të popullsive tuaja, të cilët në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, por edhe se arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plaçkitja. E ndjemë shumë mirë këtë dhe, meqë do të më pyesni në një moment për Ligjin e Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, e ndjemë shumë mirë si grekë, në 1940-n, kur ishte hera e parë dhe e vetme që shqiptarët u futën brenda tokave greke, me kufijtë e atëhershëm. Ishte një togë shqiptare, e cila ishte në krah të italianëve që u futën dhe luftuan në tokën greke në disa beteja, të cilat zgjatën vetëm 24 orë; derisa arritën në pikën që ushtria guximtare greke t’i hidhte në det këta armiq. Dhe po them se në dorë të “Agimit të Artë” gjendet një flamur. Është një histori e gjatë se si ka rënë në dorë të “Agimit të Artë” ky flamur. Mund të bëjmë një emision të tërë për këtë çështje, ndoshta nuk ekziston as në muzeun e luftës së Tiranës, nëse do të mund ta quanim kështu mes thonjëzash. Është flamuri i Fertit, ky është në dorë të grekëve. Shqiptarët nuk do ta marrin kurrë.
Ky është flamur pasi shqiptarët u pushtuan nga Italia fashiste. Ky nuk është flamuri i natyrshëm i shqiptarëve, apo jo?
Është flamur fashisto-shqiptar… Të njëjtat gjëra bënë shqiptarët në 1940-n me këtë flamur, të njëjtat gjëra tekstualisht, pasi populli nuk ndryshon, është i njëjtë. Festuam para pak kohësh dhe isha të dielën e kaluar në Konicë për përvjetorin e betejës së Konicës. Në atë betejë luftëtarët e Ushtrisë dhe Policisë greke luftuan kundër komunistëve grekë, të cilët kishin nxitës të tyre Shqipërinë. Nuk ka asnjë lidhje nëse ky flamur është fashist, apo nëse ka këtu përkrenaren e Skënderbeut, apo nëse ka yll apo është pa yll. Edhe ky është një flamur i vjedhur. Keni vjedhur shqiponjën dykrenore bizantine, e kuqja dhe e zeza janë ngjyrat tona. Këtë flamur e kemi në zyrat tona. Është flamur bizantin me shqiponjën dykrenore. Keni ndërtuar një shtet fals. Keni vjedhur heronj, ngjyra dhe flamuj dhe përpiqeni të vërtetoni se jeni shtet. Për fat të keq, nuk jeni shtet. Me këtë shtysë për të bërë shtet, siç vepruat në fillimet e shekullit, e njëjta gjë ndodh dhe tani. Tashmë keni shpatullat e turqve, të amerikanëve dhe keni ngritur kokën. Tani keni gëzimin se ka rënë komunizmi, keni kapitalizëm, mund të keni koka-kola, mund të keni makina të bukura, të cilat për fat të keq janë nga krimi dhe hashashi. Tani kaloni mirë, duartrokisni amerikanin, i vidhni dhe orën e dorës, pasi siç themi ne, më parë del shpirti dhe pastaj vesi. Vesi i plaçkitjes nuk mund të ikë. Pra, më pas do të qani dhe ju.
Si e mendoni të ardhmen, të sotmen dhe të nesërmen e marrëdhënieve shqiptarogreke dhe nuk më dhatë përgjigje për Vorio- Epirin. Nëse Vorio-Epiri është tokë greke, tani është në kufijtë e shtetit shqiptar, ka zgjidhje praktike apo është vetëm zgjidhje romantike dhe retorike?…
Do ketë paqe apo tension midis Shqipërisë dhe Greqisë? Shikoni, tensioni është vetë jeta. Në asnjë rast nuk jemi luftëdashës pa arsye. Por, historia vazhdon me të drejtën e më të fortit, por edhe me marrëveshje të pjesshme, me qëllim që të mos hamë njëri-tjetrin. Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për çështjen e Vorio-Epirit. Pra, zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe Ushtrinë greke në Vorio-Epir, atëherë edhe Ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir. Ta dini këtë. Mundet që në këto momente të dëgjohet për Greqinë, se jeni dhe njerëz të medias dhe mund të jetë edhe një realitet, se përjeton një periudhë krize ekonomike, se ka probleme ekonomike, por ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë. Është çështje vendimi dhe jo lufte.
Forcat e armatosura ekzistojnë në çdo shtet edhe si levë presioni. Po domethënë, nga marrëdhënie të ndërtuara mbi politikën te marrëdhëniet e ushtrive apo ka zgjidhje pa ushtri?… Jemi të dy vende të NATO-s, anëtare të NATO-s…
Po flas përtej NATO-s. Shqipëria duhet të respektojë firmën e saj dhe kjo nënkupton se duhet të zbatojë protokollin e Korfuzit, i cili i jep autonomi Vorio- Epirit. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për zbutjen e çdo problemi që ekziston në marrëdhëniet greko-shqiptare. T’i jepet autonomia e nënshkruar prej jush Vorio-Epirit. Është një marrëveshje, e cila është në fuqi, ekziston dhe duhet të zbatohet. Dua t’ju them se ekziston edhe ligji i luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ligji i luftës nuk shfuqizohet me një deklaratë të Papulias, apo me një deklaratë të ministrit të Jashtëm. Ligji i luftës votohet në Parlament dhe nuk është shfuqizuar zyrtarisht dhe, si rrjedhojë, jemi në gjendje lufte. Ky flamur pati paturpësinë të sulmojë Greqinë. Jemi akoma në gjendje lufte.
PANORAMA
Add new comment