Paketa për fasonët, Rama: Kjo industri mbrohet nga shteti me mish e me shpirt.

Postuar në 21 Prill, 2014 04:27

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën ndihmëse për industrinë e përpunimit aktiv, që siç tha ai, çel një kapitull të ri për industrinë dhe punësimin në vend. Kryeministri theksoi se hapi i parë i zhvillimit të paketës ka qenë mbledhja e opinioneve nga vetë grupet e interesit.

“Praktikisht ne kemi marrë një për një të gjithë listën e propozimeve. Sot jemi këtu për të thënë që jemi gati të çelim një kapitull të ri për industrinë dhe punësimin në vend.”- deklaroi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se me këtë paketë, Shqipëria vendoset zyrtarisht në hartën e prodhuesve për tregun evropian.

“Kemi shumë kërkesa nga Italia në mënyrë të posaçme, por dhe nga vende të tjera, për të ardhur dhe për të investuar në këtë sektor. Por jemi të vetëdijshëm që potencialin e zgjerimit të kësaj industrie dhe rritjes së punësimit nga kjo industri e kemi këtu midis jush.”- u shpreh kryeministri Rama.

Ndërsa theksoi se qeveria e konsideron biznesin fason si një partner strategjik për rritjen e punësimit, Rama tha se industria e përpunimit aktiv ‘mbrohet me mish e me shpirt nga shteti’.

Lidhur me trajtimin e firove, kryeministri tha se do të bëhen ndërhyrje në Kodin Doganor, në mënyrë që siç tha ai, industria të përfitojë trajtimin e kërkuar prej kohësh.

“Jemi në një diskutim të brendshëm për të gjithë industritë lidhur me mënyrën se si do të trajtohen firot. Në kodin e ri doganor kjo është një çështje e zgjidhur. Por kodi i ri doganor do të hyjë në fuqi në 1 janar 2015, por ne mendojmë se s’ka kohë për të pritur për biznesin fason, dhe kështu do të bëjmë një ndërhyrje në kodin ekzistues për të trajtuar çështjen e mbetjeve dhe të firove. Do të përfitoni nga një trajtim krejt tjetër i mbetjeve gjë që e keni kërkuar prej kohësh.”- deklaroi Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.