PËRFITOJNË KUNDËRLIGJSHËM?

Lëvizja Vetëvendosje, kundërligjshëm, ka përfituar mijëra euro të Buxhetit të Kosovës që KQZ ua ndanë partive politike. Për këtë Lëvizja për Bashkim, e cila pretendon se ka hise në këtë Fond, ka ushtruar padi ndaj KQZ’së në Gjykatën Supreme. Sipas kësaj partie, Vetëvendosje nuk është dashur t’i marrë ato para, pasi që në zgjedhje ka hyrë si nismë qytetare e jo si parti politike. Në Lëvizjen e Kurtit mohojnë gjithçka.
Lëvizja Vetëvendosje kundërligjshëm ka përfituar mijëra euro të taksapaguesve kosovarë, e që atyre u janë ndarë nga Fondi për Mbështetjen e Partive Politike.
Kështu të paktën pretendon Lëvizja për Bashkim, subjekt ky që bashkë me partinë e Albin Kurtit kishin garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare.
LB, shprehet e bindur në këtë, ndërsa ka paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Gjykatën Supreme për shkak se nuk i ndau pare asaj nga fondi.
Në LB thonë se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje është regjistruar në KQZ si nismë qytetare, e sipas ligjit ky regjistrim vlen për një periudhë të caktuar kohore, çka partisë së Kurtit nuk i jep të drejtën e shfrytëzimit të këtyre mjeteve që ndahen për partitë politike.
Konflikti mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes për Bashkim filloi qyshkur partia e Kurtit nuk ua dha atyre paratë nga Fondi për Mbështetjen e Partive Politike, edhe pse kishin dy deputetë. Ky konflikt rezultoi me daljen e dy deputetëve të LB’së nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.
EXPRESS
Add new comment