Numërimi elektronik, fond pa limit e tender pa garë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me shtatë vota pro të nisë procedurat për përzgjedhjen e shoqërisë që do të realizojë verifikimin elektronik të votuesve dhe numërimin elektronik të votave në zgjedhjet e 23 qershorit. Në mbledhjen e fundit për këtë vit, e cila zgjati rreth katër orë, përfaqësuesit e opozitës ranë dakord me propozimin që kishte ardhur nga administrata për mënyrën se si do të bëhet tenderi.
“KQZ vendosi miratimin e procedurës me negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës pa fond limit që do të përdoret për zgjedhjen e shoqërive që do të realizojnë: a) Projektin për numërimin dhe vlerësimin e votave nëpërmjet sistemit elektronik të numërimit (SEN); b) Projektin për përdorimin e teknologjisë së verifikimit dhe regjistrimit të pjesëmarrjes se zgjedhësve në ditën e votimit”, thuhet në vendimin e miratuar.
DY VARIANTET
Përfaqësuesit e administratës propozuan dy variante për përzgjedhjen e shoqërisë që do të marrë përsipër dy projektet elektronike, duke i bashkëngjitur secilit prej tyre dhe afatet kohore. Varianti i parë ishte ai i negocimit me botim paraprak të njoftimit të kontratës, çka nënkupton kalimin e gjithë procedurës nga APP-ja, që sipas përllogaritjeve, në rastin më të mirë, kontrata mund të firmosej më 26 shkurt 2013, nëse nuk do të kishte ankesa nga pjesëmarrësit në tender.
Varianti i dytë ishte ai i negocimit pa botim paraprak të njoftimit të kontratës, që mund të kryhet brenda datës 25 janar, duke i dhënë kështu 2 muaj kohë firmës deri në realizimin e provave gjenerale. Varianti i dytë, njësoj si i pari, nuk përcakton fond limit për shërbimin, u pranua gjerësisht nga anëtarët e KQZsë dhe përfaqësuesit e partive politike.
Burimi: http://www.panorama.com.al
Add new comment