Numër i lartë i viktimave në Siri, 1600 të vrarë në një javë

Vetëm gjatë kësaj jave në Siri janë vrarë afro 1600 persona, numri më i lartë i viktimave në gati një vit e gjysmë lufte civile në vendin e përfshirë nga dhuna, ndërsa kushtet e jetesës për popullsinë janë përkeqësuar në mënyrë dramatike. Një zyrtar i OKB-së tha për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve që organizmi ndërkombëtar beson se bilanci i viktimave në javën e fundit ka qenë shumë i lartë. Edhe videot e postuara së fundmi në rrjetet sociale në internet tregojnë luftime të ashpra, ndërsa kryengritësit shkëmbejnë zjarr me trupat qeveritare në disa qytete, përfshi Damaskun. Në njërën prej tyre dokumentohet djegia e spitalit Al Fateh. Në të dallohen trupa të pajetë të vendosura në një platformë jashtë ndërtesës së spitalit që është i dëmtuar nga zjarri. Sipas aktivistëve në Damask, spitali Al Fateh u sulmua dhe u dogj nga trupat qeveritare në 48 orët e fundit. Një tjetër video, me pamje të tmerrshme, thuhet se është filmuar në Kadam, periferi e Damaskut, ku duken trupa të gjymtuar, disa me duar të lidhura pas shpine. Një zë në arabisht denoncon se të gjithë ata janë vrarë nga trupat e regjimit dhe milicia Shahiba më 1 shtator në Kadam. Pamje luftimesh vijnë edhe nga Homsi ku tregohen forcat e Al Asad që bombardojnë qytetin. Në televizionin Al arabija është transmetuar lajmi i bombardimit të lagjeje të banuar në Abu Kamal, qytet afër Irakut ku janë vrarë 33 persona. Ndërkaq, mediat janë duke komentuar bombat artizanale të cilat janë përdorur nga Qeveria në bombardimin e qyteteve, në formën e cilindrave të mbushur me gozhdë apo copa të tjera metalike. Askush nuk e di nëse bëhet fjalë për mbarim municionesh, apo për ndonjë armë me efekte të panjohura. Albanian Screen
Add new comment