Një krim i paralajmëruar/ Lamajt i kërcënuan edhe vajzën e vogël

Burime nga Policia e Shtetit pohojnë se dy të dyshuarit kryesorë të vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, të cilët qëlluan me breshëri automatiku, e kanë kërcënuar 41- vjeçarin kohë më parë, duke i thënë se “do të vrasim vajzën e vogël dhe motrën”.
Gjithçka ka ndodhur në ambientet e komisariatit nr.6, ku Lamaj kishte bërë shoqërimin e tyre pas disa konflikteve që kishin lindur në muajin shtator të vitit të kaluar. Një deklaratë e tillë, e bërë nga Arben Frroku dhe i afërmi i tij, Vlash Gjoni, e ka tensionuar Lamajn, i cili u ka thënë se nuk kanë asnjë punë me njerëzit e familjes së tij, pasi ata nuk kishin pse të përfshiheshin në konfliktet e tyre.
“Nëse doni që të hakmerreni, shumë mirë mund të më vrisni mua. Lërini të qetë ato”, citohet kryekomisari në gazetën Shqip.
Ngjarja ka qenë e paralajmëruar dhe i ndjeri e ka ngritur problemin tek eprorët e tij.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, atentatorët kanë qenë të vendosur në qëllimin e tyre. Ata kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e 41-vjeçarit dhe kanë pritur momentin e duhur për të bërë atentatin. Madje ata kanë takuar vajzën e 41- vjeçarit në shkollën kua ajo studionte për t’i dorëzuar fletushkat, të cilat flisnin ashpër për babanë e saj.
Pas këtij incidenti Lamaj ka vendosur të largonte vajzën nga shtëpia dhe prej disa muajsh ajo strehohej tek të afërmit.
Gjithashtu fletushka kanë shkuar edhe tek nëna e të ndjerit, e cila ka shkuar më pas në gjendje të rëndë në spital.
Ata kanë qenë të vendosur në kërcënimet e tyre dhe mbrëmjen e së dielës, 41- vjeçari ka qenë i shoqëruar nga disa persona të ndryshëm. Sapo ka zbritur nga banesa, është ndarë nga motra.
Vrasësit e kanë pritur. Ai ka shkuar tek lokali pasi një makinë e zezë i kishte bllokuar mjetin e tij personal. Ka qenë kamarieri që i ka liruar rrugën dhe pasi u përshëndetën me njëri- tjetrin, i riu është futur në lokal.
Pas një minute Dritan Lamaj ka qëndruar i vetëm në mjetin e tij duke folur në telefon. Në këtë moment, ekzekutorët i janë vërsulur duke qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Policia thotë se ka gjetur një fije floku në makinën e atentatorëve, që është gjetur e braktisur në periferi të Tiranës.
TEMA
Add new comment