Nishani do të zgjedhë anëtarët e Kushtetueses pa u mbaruar mandati. Ruçi: Po shkel ligjin

Kryetari i shtetit, njëkohësisht kryetar i KLD-së, Bujar Nishani priti në takime të veçanta mbajtur në selinë e Presidencës përfaqësues të 6 partive parlamentare, duke lënë sërish jashtë tryezës partinë e ish-presidentit Bamir Topi që përfaqësohet me 1 deputet në Kuvend, ashtu si PBDNJ apo PR-ja.
Bisedimet që zgjatën rreth 1 orë me krerët kryesorë të partive, apo drejtues të grupeve parlamentare, ishte thirrur për të diskutuar kriteret mbi të cilat duhen zgjedhur anëtari i Gjykatës së Lartë pas shpalljes së vakancës, por edhe për plotësimin e dy vendeve vakante që krijohen në Gjykatën Kushtetuese.
Pas bisedës me Presidentin Nishani, socialisti Gramoz Ruçi tha për mediat se “nëse presidenti dekreton dy vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese, atëherë ky do të jetë një hap antiligjor dhe antikushtetues pasi këto dy mandate, përfundojnë në 21 maj të 2013″.
Por duket se Nishani kërkon që këto emra të zgjidhen nga ky parlament duke nxituar për dekretimin e tyre.
“Nuk ishte një konsultë për emra, por për kritere. Kriteret i përcakton kushtetuta, por për ne si opozitë janë dy kritere, si këto organe bëhen të pavarura dhe luftojnë krimin dhe korrupsionin. Ajo që ne shikojmë me shqetësim janë dy elementë, që i paraqitëm Presidentit. E para lidhur me një mandat të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i mëparshëm ka 8 muaj që ka paraqitur një dekret për zëvendësimin e një vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe sot e kësaj dite Parlamenti nuk e shqyrton atë. E dyta, për ne nuk ka vakanca sot për arsyen se Gjykata Kushtetuese dhe parlamenti shqiptar, pavarësisht se ne si opozitë n ë atë kohë nuk kemi qenë dakord, ka konsideruar që këto dy mandate përfundojnë në 21 maj të 2013-ës, për të realizuar rotacionin në Kushtetuese”, nënvizoi kreu i grupit kuvendor opozitar Gramoz Ruçi.
Por pavarësisht këtij reagimi të opozitës, Presidenti i Republikës njoftoi përmes mediave pak minuta pas mbylljes së tryezës me partitë politike, se ftonte subjektet e interesuara të dorëzonin kërkesat e tyre të shoqëruara me një CV pranë Institucionit të Presidentit të Republikës.
Subjektet e interesuara kanë afat deri ditën e enjte, 21 mars 2013 në ora 24:00, për të dorëzuar aplikimin.
TEMA
Add new comment