Nikolla: Konkurs për drejtorët e DAR. Fund militantizmit, zgjidhje kontrate me 59 persona

TIRANE- “Fund militantizmit dhe korruptimit te shkolles permes emerimeve pa kriter” ka premtuar ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjate nje konfrence per mediat, ku ka njoftuar nisjen e procedurave te konkurrimit per Drejtor në Drejtoritë Arsimore Rajonale në të gjitha qarqet e vendit.
Ajo ka njoftuar “zgjidhje te menjëhershme te kontratës se punes për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit”, përfshi 12 drejtues të DAR-ve, “vërejtje me paralajmërim” për 13 punonjës; “vërejte” për 5 punonjës.
Ndeshkimet
Sipas Nikolles arsimimi i fëmijëve është një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, si çelësi i suksesit për të ardhmen tonë Europiane.
“Ju nuk meritoni Drejtori Arsimore që ishin kthyer në çerdhe paaftësie, ku politika e korrupsioni vendosnin në emër të gjithçkaje dhe ku mungojnë të gjitha sistemet rregullatore dhe procedurat menaxhuese, madje edhe dokumentet themelore të mbarëvajtjes së punës.Vendimet/urdhrat e drejtorëve të DAR-ve, në shumicën e rasteve, janë të paargumentuara”- tha ajo.
Sipas saj, nuk ka urdhra për ngritje të komisioneve të vlerësimit të punonjësve, nuk ka vlerësime mbi bazë të dosjes personale; nuk ka proces-verbale të mbajtura për këtë qëllim, duke shkelur kështu parimin e barazisë për kandidatët, sepse kriteri i vetëm përzgjedhës ka qenë militantizmi dhe jo profesionalizmi.
“Ndaj dhe mësuesi i letërsisë emërohet në detyrën e përgjegjësit të IT-së, apo, diku tjetër, një specialist me diplomë për gjuhë–letërsi emërohet inxhinier ndërtimi. Në vetëm 26 shkolla të monitoruara konstatuam se 119 mësues ishin të emëruar mbi normën e përcaktuar”- tha me tej ajo.
Ministrja ka deklaruar me tej se në të gjitha DAR-et nuk ka raporte monitorimi apo vlerësimi, relacione apo studime për zëvendësim e ndryshim të numrit të punonjësve në institucione të ndryshme arsimore.
“Nuk ekziston një procedurë standarde e vlerësimit të arritjeve (performancës) të punonjësve. Këto janë vetëm disa prej të dhënave që na shqetësojnë dhe që na bëjnë të mendojmë që është pikërisht për shkak të abuzimeve dhe shkeljeve të ligjit, korrupsionit që shumë prej këtyre drejtuesve kanë arritur majat e arsimit parauniversitar prej nga dhe janë shndërruar në antenat e përcjelljes së valëve të partisë, dikur në pushtet. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më”- tha ajo.
Sipas saj, për shkelje të konstatuara, drejtorët që shkarkohen si dhe ata që nxituan të japin dorëheqjen, pasi u përballën me faktet e keqmenaxhimit dhe shkeljet e konstatuara nga ekipi auditues, sigurisht do të përballen edhe me forcën e ligjit.
Konkurrimi per DAR
Ministrja ka njoftuar gjithashtu se fillojne procedurat e konkurrimit, sipas dispozitave ligjore për pozicionin e Drejtor në Drejtoritë Arsimore Rajonale në të gjitha qarqet e vendit.
“Lajmërimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen online të MAS. Seleksionimi do bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë. Do ketë 13 finale publike mes 3 deri në 5 kandidatë, përballë një jurie prestigjioze të përbërë nga personalitete të arsimit”.
Panorama
Add new comment