Ndryshon ligji, zyrtarët dhe biznesmenët që armatosen

Komisioni i Ligjeve ka nisur dje shqyrtimin e projektligjit “Për armët”, ndërsa opozita dhe mazhoranca kanë debatuar gjatë sa i përket çështjes nësezyrtarët e lartë, përfshi deputetët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët, zv/ministrat, prefektët apo të zgjedhurit vendorë duhet të kenë të drejtë që të pajisen me to. Në ligjin ekzistues të vitit 1992, që ka ardhur për ndryshim në Kuvend, përveç deputetëve, ministrave, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë që e kishin të drejtën e mbajtjes së armëve, tashmë shtohen zv.ministrat, prefektët, si dhe drejtues të shoqërive tregtare që kanë kapital jo më pak se 50 milionë lekë dhe kesh 20 milionë lekë.
Socialistët duke e denoncuar nismën për t’i dhënë të drejtë këtyre zyrtarëve që të mbajnë armë si të papranueshme dhe jo logjike, kanë akuzuar qeverinë se në pamundësi për të mbrojtur qytetarët kërkon të mbrojë zyrtarët. Ndërsa përfaqësuesit e qeverisë dhe deputetët e mazhorancës kanë hedhur poshtë aludimet e bëra nga opozita, duke theksuar së pari se pajisja me armë e këtyre zyrtarëve është e parashikuar edhe nga legjislacioni aktual dhe së dyti kanë bërë të ditur se e keqja nuk janë zyrtarët që mbajnë armë, por fëmijët e politikanëve, të cilët shpesh herë janë kthyer në kërcënim për qytetarët dhe vet të zgjedhurit e tjerë.
Opozita
Nënkryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, duke shprehur votën kundër të deputetëve të PS, e argumentoi këtë me një sërë problemesh që deputetët e majtë shohin tek ky projektligj. Ai ka kundërshtuar parashikimin që bëhet në ligj për të pajisur deputetët, ministrat apo edhe gjyqtarët me armë. Sipas tij kjo gjë nuk ka kuptim, pasi përcjell te qytetarët një shije të keqe që ka të bëjë sipas tij me paaftësinë e qeverisë që në pamundësi për të vendosur rendin, propozon që t’u japë këtyre zyrtarëve armë që të mbrohen vetë. “Nuk e kuptoj dot, nuk më bën sens, për çfarë i duhet deputetëve arma e brezit, për çfarë i duhet arma ministrave, anëtarëve të gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, e lloj-lloj të tjerëve. Cili është standardi që duhet të vendosim? Meqenëse ne nuk mbrojmë dot qytetarët, të mbrojmë të paktën kokat tona. Kjo është logjika? Qytetarët nuk i mbrojmë dot nga këta që i vrasin, nga këta që i kërcënojnë, nga këta që i dhunojnë, por kokat tona duhet t’i mbrojmë ne” – tha Xhafaj. Sipas tij, drafti lejon që tashmë të krijohet një treg armësh dhe ato subjekte që nuk pajisen dot nga policia me armë të mund t’i blejnë vetë ato.
Mazhoranca
Ndaj këtyre akuzave dhe dyshimeve të ngritura nga opozita kanë reaguar së pari vetë përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, të cilët kishin ardhur në komision për të mbrojtur projektligjin. Sipas zv/ministrit Arben Ristani parashikimi që bën projektligji për të pajisur një kategori të caktuar zyrtarësh me armë nuk është një risi, por një gjë që ka qenë pjesë e legjislacionit shqiptar që nga 1992. “Është dhe një standard që buron nga praktika e mirë. Kështu keni patur edhe ju kur keni qenë ministër edhe të tjerët para jush”, – tha Ristani. Ndërsa drejtori juridik ka theksuar se gjatë diskutimeve me ekspertët u vlerësua që të përcaktohej në ligj kjo e drejtë për këtë kategori zyrtarësh. Por përtej argumenteve ligjore deputetët e mazhorancës i janë përgjigjur akuzave të ngritura nga opozita edhe me deklarata politike. Sipas deputetit Fatos Hoxha, deputetët dhe gjyqtarët duhet t’i kenë armët pasi duhet të mbrohen nga fëmijët e atyre politikanëve që jo pak herë kanë vrarë apo kërcënuar qytetarët e thjeshtë, duke aluduar këtu për disa nga fëmijët e deputetëve të opozitës. “Nuk shoh që krimet në rrugë janë bërë nga deputetët e papërgjegjshëm, apo nga të zgjedhur lokal të papërgjegjshëm. Të tjerë janë ata që kanë bërë krime. Duhet ta themi hapur që fëmijët tanë, familjarët tanë, të afërmit tanë bëjnë krime dhe nuk ndëshkohen”, – tha Hoxha. Për shkak të debateve për çështje konkrete komisioni nuk ka mundur të miratojë më shumë se 3 nenet e para, ndërsa e kanë lënë diskutimin në nenin 4, për të cilin ka kërkuar nga përfaqësuesit e ekzekutivit që të bëjnë një përcaktim më të mirë të kategorizimeve të armëve.
Lista e zyrtarëve të lartë që armatosen
Ministrat
Deputetët
Zv.ministrat
Prokurorët
Gjykatësit
Kryetarët e bashkive dhe komunave
Diplomatët
Prefektët
Shoferët e titullarëve
Noka: As kam mbajtur, as do të mbaj armë
Gjatë seancës pyetje-përgjigje në komisionin e Sigurisë, deputeti Ben Blushi i bëri një tjetër analizë gjendjes së lartë të krimit në vend, duke e lidhur me historinë e armëmbajtjes pa leje. Blushi akuzoi shtetin për paaftësi për të mbledhur armët që nga ‘97 dhe gjithashtu ligjin e ri për armët që i shton lejet e përdorimit të tyre. “Ky ligj parashikon që numri i personave që mund të mbajnë armë të rritet dhe po ashtu parashikon që armë të mbajnë ministrat, deputetët, kryetarë komunash, prefektë, në përgjithësi zyrtarët e lartë. Ju jeni edhe ministër edhe deputet. Nëse ky ligj kalon, ju do të mbani armë zoti ministër? Dhe nëse po, për çfarë ju duhet arma, për t’u mbrojtur apo për të sulmuar?” tha Blushi. Përgjigjja e ministrit ishte se “As nuk e kam mbajtur dhe as kam ndërmend ta mbaj.”
Debatet në Komision
Xhafaj: Për çfarë i duhen armët deputetëve, anëtarëve të KM, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese? Për çfarë, për çfarë i duan armët këta njerëz? Nga cilët mbrohen këta njerëz, për më tepër deputetët, anëtarët e gjykatës Kushtetues? Nga se duhet të mbrohen këta njerëz? Çfarë logjike është kjo që në këtë vend një kategori e caktuar njerëzish duhet të ketë armë në xhep, dhe ai qytetari atje që është i kërcënuar përditë nuk paska armë dhe nuk duhet të ketë. Ndërsa këta një kategori e veçantë duhet të kenë armë, deputetët, anëtarët e KM duhet të lëvizin me pisqollë, pisqollë nga koka dhe pisqollë dhe në xhep. Nuk bënë sens. Në mënyrë të veçantë për anëtarët e Këshillit të Ministrave.
Sheta: Në lidhje pajisjen e deputetëve dhe anëtarëve të KM ky është bërë një vlerësim nga ana jonë dhe është parë e arsyeshme që kjo kategori njerëzisht të pajisen me armë.
Ristani: Është dhe një standard që buron nga praktika e mirë.
Xhafaj: Si praktikë, se nuk e kuptova këtë?
Ristani: Po pra, praktikë e mirë se ka qënë, kështu keni patur edhe ju kur keni qenë ministër edhe të tjerët para jush.
Xhafaj: Kam pas unë armë, ma ke dhënë ti?
Ristani: Po të drejtën për të patur armë. Po pra kështu keni vendosur si praktikë të mirë, e keni patur edhe më parë këtë punë.
Xhafaj: Praktikë e mirë thotë, mëso të përdorësh termat, lexoje dhe një herë ligjin.
Paloka: Ore po kush nuk e do s’e merr mo, sikur po jua japin me zor.
Sheti: përputhja e këtij ligji me legjislacionin e BE-së është i pjesshëm.
Xhafaj: Nuk e votoj: e para është që nuk ka patur dhe nuk kishte asnjë arësye për t’i hyrë një ndërmarrje të tillë për shkak se nuk ka ndonjë diferencë rrënjësore me ligjin e mëparshëm që do ta detyronte ekzekutivin për të sjellë një projekt të ri dhe pikërisht në këto momente. Por edhe se nga ana tjetër në këtë moment të merresh me këtë çështje është paksa luks për qeverinë tonë dhe për ne legjislatorët. Edhe nëse ka qënë një praktikë e mëparëshme le ta heqim.
Tritan Shehu: Të mos e përdorim këtë ligj për të qëlluar me breshëri në 360 gradë. Unë jam krejtësisht kundër disa deklaratave populliste që bëhen këtu për deputetët apo ministrat. Unë për vete s’kam patur kurë armë aq më shumë kur të tjerët kanë patur mitraloza në shpinë. Por ama në qoftë se në ligj sanksionohen disa elementë, kjo lidhet me besueshmërinë e personi dhe me funksionin e tij.
Pandeli Majko: Shoqëritë pajisen me armë kur kanë kapital kesh jo më pak se 50 milionë lëkë dhe kapital 200 milionë lekë. Mos po pajisim me armë dhe krimin e organizuar në Shqipëri se unë nuk besoj se ka ndonjë kriminel në shqipëri që s’ka lekë.
Fatos Hoxha: Unë dëgjova pak më parë kolegët që thanë c’na duhen deputetit armët. Edhe unë i atij mendimi jam. Por nuk e shoh të arësyeshme ose nuk shoh ndonjë të keqe pse deputeti mban armë apo një i zgjedhur tjetër mban armë. Sepse nuk shoh që krimet në rrugë janë bërë nga deputetët e papërgjegjëshëm, apo nga të zgjedhur lokal të papërgjegjshëm. Të tjetër janë ata që kanë bërë krime.
Xhafaj: Ata katër kush i vrau?
Hoxha: Kemi tentuar ne politikanët që kemi tentuar t’i vrasim ata. Doni t’u heqim armët dhe gardistëvee dhe policëve hajd ua heqim, por do na vrasin fëmijët e politikanëve. Do na vrasin të afërmit e politikanëve në rrugë, për këtë të jeni të bindur se e kanë bërë dhe po e bëjnë.
MAPO
Add new comment